Ndërlidhjet

PETERSEN: ZGJEDHJET JANË PJESË E DIALOGUT DHE SERBËT DUHET TË JENË PJESË E BISEDIMEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Inkurajimi i serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës, si dhe mënyra për ndërtimin e një partneriteti të shtuar ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës kanë mbizotëruar në takimet e para të kryeadministratorit të Kosovës, Soren Jessen Petersen me udhëheqës të institucioneve të Kosovës dhe me përfaqësues të komunitetit serb.
"Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjitha komunitetet dhe banorët të marrin pjesë në një proces kaq të rëndësishëm demokratik siç janë zgjedhjet," tha Petersen duke përkujtuar se Kosova ka ditur të mbajë zgjedhje demokratike dhe të suksesshme disa herë në vitet e fundit.
Këto deklarata zoti Soren Jessen Petersen i ka bërë pas takimeve me presidentin Rugova dhe kryeministrin Rexhepi, të cilët po ashtu kanë theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje. Presidenti Ibrahim Rugova tha se gjendja në Kosovë po përmirësohej e me këtë edhe pozita e pakicave:
"Pas ngjarjeve të marsit gjendja ka filluar të konsolidohet, është më positive dhe rindërtimet kanë filluar, ndërsa integrimi i minoriteteve dhe grupeve etnike në shtetin dhe në shoqërinë e Kosovës, është fushë ku kemi pasur sukses dhe do të vazhdojmë në këtë plan. Po ashtu biseduam, edhe për zgjedhjet e tetorit. Ne kemi përvojë për këtë dhe do të angazhohemi dhe kërkojmë që në to të marrin pjesë të gjitha grupet politike të Kosovës".
Edhe kryeministri Bajram Rexhepi ka nxjerrë zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse si një nga prioritetet kryesore të institucioneve vendore:
"Diskutuam mundësinë se si ta inkurajojmë komunitetin serb që të marrë pjesë në zgjedhje që e ka vlerën e vet. Biseduam edhe për transferin e kompetencave se si do të shkojë dhe si do të vazhdojmë me standardet për Kosovën".
Ndërkaq, pas bisedimeve me përfaqësuesit serbë, Petersen tha se siguria për pakicat, lëvizja e lirë dhe kthimi i të zhvendosurve ishin prioritet sa u përket raporteve me pakicat, ndërkohë që tema e zgjedhjeve ka qenë tema kryesore, edhe pse Petersen tha se nuk ishte detyra e tij t’i bindte serbët për të marrë pjesë në zgjedhje:
"Nuk mendoj se është detyra ime t’i bind ata, pasi kjo është detyrë e tyre dhe e ardhmja e tyre është këtu, prandaj unë vetëm besoj se ata do ta marrin vendimin e duhur," tha Petersen, sipas të cilit edhe zgjedhjet janë pjesë e dialogut dhe serbët duhet të jenë pjesë e çfarëdo bisedimesh për këtë.
Ndërkaq, Ivanoviç tha se vendimi i serbëve për zgjedhjet është një çështje jo e thjeshtë:
"Mendoj se vendimi për daljen apo jo të serbëve në zgjedhje varet nga kushtet nën të cilat serbët duhet të dalin dhe cilat janë garancitë që institucionet e Kosovës, UNMIK-u dhe bashkësia ndërkombëtare do të japin për punën e serbëve në institucione," tha Ivanoviç, duke e cilësuar si thirrje miqësore ftesën e Petersenit për pjesëmarrje në zgjedhje. Ai tha se nga zoti Petersen kishte kërkuar të respektojë në mënyrë strikte rezolutën 1244, për ndryshim nga paraardhësit e tij, të cilët sipas zotit Ivanoviç kanë aplikuar rezolutën në mënyrë selektive.
Ndërkaq, duke e quajtur pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje sfidën kryesore të kryeadministratorit Petersen, komandanti i KFOR-it, gjenerali Kammerhof tha se në Kosovë ekzistojnë kushte të sigurisë për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.
Një çështje tjetër që ka mbizotëruar në takimet e sotme ka qenë kërkesa e udhëheqësve të Kosovës për më shumë kompetenca dhe përgjegjësi. Shefi i ri i UNMIK-ut Petersen tha se ishte i gatshëm për partneritet. "Si administrator i UNMIK-ut unë kam autoritet të qartë, por unë synoj që këto kompetenca t’i ushtroj në partneritet të shtuar me autoritetet vendore të mbështetur në besim dhe transparencë," tha Petersen, për të shtuar se sa herë që u ofrojmë autoriteteve vendore më shumë përgjegjësi, ky është edhe një test për seriozitetin dhe vullnetin e tyre.

XS
SM
MD
LG