Ndërlidhjet

BUSH E SHPALL RIVENDOSJEN MË TË MADHE TË TRUPAVE PAS LUFTËS SË FTOHTË


Andrew F. Tully

Forcat e Shteteve të Bashkuara përpiqen t'ia dalin mbanë në misionet në Irak dhe në Afganistan, me atë që presidenti George Bush e quan luftë kundër terrorizmit.
Megjithatë, dhjetra mijëra trupa janë të vendosura në Evropë dhe Azinë Lindore, si reminishenca të Luftës së Ftohtë, e cila përfundoi para 15 vjetësh. Trupa të tjera presin të zhvendosen diku tjetër.
Presidenti amerikan tha se nga Evropa dhe Azia Lindore planifikon t'i tërheqë rreth 70 mijë trupa. Disa prej tyre do të vendosen në pozicione të reja në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
Duke folur në Konventën e Veteranëve të Luftës në qytetin Cincinnati, presidenti tha:
"Megjithëse ende kemi prani të rëndësishme tejoqeanike, sipas planit që e bëj publik sot, në 10 vitet e ardhshme do t'i kthejmë në shtëpi rreth 60 deri 70 mijë forca ushtarake", tha Bush, për të shtuar se gjithashtu do të zhvendosen edhe rreth 100 mijë anëtarë të familjeve të ushtarëve.
Bushi tha se Shtetet e Bashkuara duhet ta ridefinojnë praninë e tyre ndërkombëtare nisur nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe kërcënimet e reja globale si Al-Kaida.
"Bota ka ndryshuar dukshëm. Bashkë me të duhet të ndryshojë edhe qëndrimi ynë, për hir të familjeve të ushtarëve dhe të taksapaguesve, duhet të jemi më efektivë në projektimin e fuqisë sonë dhe përhapjen e paqes dhe lirisë", tha presidenti amerikan.
Ai nuk dha detaje të tjera të ristrukturimit të ushtrisë, por bëhet e ditur se shumica e tyre do të dërgohen në bazat ushtarake në Amerikë. Disa ndërkaq presin të angazhohen për nevojat humanitare në Afganistan.
Raportohet se një numër i papërcaktuar i ushtarëve të rivendosur do të stacionohen në vendet e reja të NATO-s në Evropën Lindore. Polonia dhe Bullgaria janë ndër mbështetësit më të mëdhej të politikave ushtarake dhe të jashtme të presidentit Bush.
Në Azinë Qendrore, Uzbekistani gjithashtu besohet të jetë kandidat për t'i mirëpritur forcat amerikane. Ky vend ishte pikënisje për trupat e koalicionit gjatë invazionit në Afganistan në fund të vitit 2001.
Bushi foli për rivendosjen në kuptime të përgjithshme, në 10 vitet e ardhshme. Por hapi mund të fillojë së shpejti, sepse Shtetet e Bashkuara tashmë i kanë filluar negociatat me vendet ku pritet të zhvendosen trupat.
Ashtu si presidenti Bush, edhe sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, i cili drejtpërdrejt do të jetë përgjegjës për rivendosjen e ushtarëve, tha se hapi nuk do të jetë masiv. Duke folur në Sankt Petersburg të Rusisë, Rumsfeld tha:
"Sigurisht që nuk do të ketë lëvizje të çdo gjëje. Ajo që do të ndodhë është se diskutimet do të shkojnë përpara, ndërsa do të bëhen publike kur të finalizohen. Kjo mund të zgjasë 4, 5 apo 6 vjet", tha Rumsfeld.
Zyrtarët e ushtrisë amerikane, një kohë të gjatë thonë se prania e forcave të Shteteve të Bashkuara në Gjermani nuk ka kuptim 15 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Por raportohet se Uashingtoni dëshiron të mbajë në Gjermani të paktën një bazë ajrore, për t'i mbështetur trupat në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.


XS
SM
MD
LG