Ndërlidhjet

logo-print

ADMIRALI JOHNSON PËRSËRIT MBËSHTETJEN PËR NJË KOSOVË TË SIGURT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

NATO-ja dhe KFOR-i do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me UNMIK-un, për të siguruar ambjent të sigurt dhe për të mundësuar zhvillimin e institucioneve demokratike, ka deklaruar sot në Prishtinë, komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Gregory Johnson. Pas një takimi që ka pasur me shefin e ri të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, admirali Johnson tha se UNMIK-u dhe KFOR-i janë dy faqe të të njëjtës monedhë dhe do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë:
"Unë erdha për t’i shprehur miqësinë time dhe për t’i treguar se jam i gatshëm të bashkëpunoj me të, ashtu siç kam bashkëpunuar me paraardhësit e tij," tha admirali Johnson, duke përmendur se cilat kanë qenë temat e diskutuara me kryeadministratorin Jessen Petersen. Ndërkohë, zyrtarët e KFOR-it, përfshirë edhe komandantin e forcës paqëruajtëse, gjeneralin Holger Kammerhof, duke ftuar sebrët të marrin pjesë në zgjedhje dhe të jenë pjesë e procesit kanë thënë se në Kosovë ekzistojnë kushte të mjaftueshme të sigurisë për serbët që të marrin pjesë në zgjedhje. Admirali Johnson në këtë kuadër tha se kjo edhe është e vetmja detyrë e KFOR-it:
"NATO dhe KFOR-i kujdesen për një gjë të vetme, që të sigurojnë ambjent të sigurt, në mënyrë që t’u ofrohen mundësi të gjithëve për zhvillimin e institucioneve demokratike," tha komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Gregory Johnson.
Ai ia ka ftuar të gjithë qytetarët që të respektojnë ligjin, duke ndihmuar ofrimin e ambjentit të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për secilin qytetar të Kosovës, pasi sipas tij, jo vetëm KFOR-i dhe policia, por secili qytetar i Kosovës ka përgjegjësi për krijimin e ambjentit të sigurt, në të cilin të gjithë qytetarët do të mund t’i realizonin të drejtat e tyre qytetare dhe demokratike.
Duke u shprehur i kënaqur nga takimi i sotëm i parë me kryeadministratorin Jessen Petersen, admirali Johnson tha se ata do të vazhdojnë bashkëpunimin me synim të njëjtë:
"Mendoj se do të shihni se raportet ndëmjet UNMIK-ut dhe KFOR-it do të tilla si të jenë dy faqe të të njëjtës monedhë," tha admirali Johnson, duke përkujtuar se oferta e vazhdimit të bashkëpunimit i është bërë zotit Jessen Petersen edhe të hënën nga komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Holger Kammerhof.


XS
SM
MD
LG