Ndërlidhjet

logo-print

GOLBERG: KOSOVARËVE DUHET T'U JEPEN MË SHUMË PËRGJEGJËSI


Albana Isufi, Prishtinë

Shefi i ri i zyrës amerikane në Prishtinë Philip Goldberg u ka premtuar përkrahje të plotë liderëve vendorë dhe ndërkombëtarë të Kosovës në vazhdimin, siç ka thënë ai, të progresit në të gjitha fushat. Ai ka pasur sot takimin e parë zyrtar me presidentin Ibrahim Rugova.
“Besoj se kam ardhur në një moment shumë shpresëdhënës. Përfaqësuesi i ri i Sekretarit të Përgjithshëm ka arritur këtë jave dhe ka një agjendë ambicioze për të shpejtuar progresin në Kosovë dhe unë dhe Shtetet e Bashkuara duam ta ndihmojmë atë që të kryejë punët e tij dhe do t’i japim atij mbështetje të plotë," tha Goldberg.
Presidenti Ibrahim Rugova tha se do të angazhohet që të gjejë një gjuhë të përbashkët me UNMIK-un me qëllim që të vazhdohet zhvillimi ekonomik dhe ai i sigurisë.
“Do të punojmë së bashku me UNMIK-un që të zgjidhim këto çështje. Unë falenderova edhe njëherë Shtetet e Bashkuara për të gjithë atë që kanë bërë, që po bëjnë, dhe do të bëjnë për Kosovën dhe do të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe zoti Goldberg, ju do ta keni përkrahjen time dhe do të bashkëpunojmë ngushtë që Kosova të ecë në perspektivën e saj,” tha Rugova.
Golberg tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një zhvillim të gjithëmbarshëm në Kosovë.
“Shtetet e Bashkuara kanë një vend të posaçëm në Kosovë dhe unë e çmoj këtë. Ne duam që të shohim se progresi po vazhdon dhe ne duam që të shohim shumë më tepër kompetenca në institucionet e përkohshme të Kosovës. Duam ta shohim një Kosovë të zhvilluar si shoqëri, si një shoqëri multietnike, ku çdokujt i jepet mundësia për ta jetuar jetën e vet, ku çdokush ka mundësi të zhvillohet ekonomikisht. Po ashtu është me rëndësi që të kthehen në shtëpi serbët e Kosovës të zhvendosur në mars dhe duhet që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji,“ tha Goldberg.
Philip Goldberg para ardhjes në Prishtinë ka qenë zëvendësshef i misionit amerikan në Santiago të Kilit. Ndërkaq më herët ishte asistent special i ambasadorit Richard Hollbruk. Ai do ta udhëheqë zyrën amerikane në Kosovë për dy vjet me radhë.




XS
SM
MD
LG