Ndërlidhjet

VAZHDON GREVA E PENSIONISTËVE INVALIDË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pensionistët invalidë të Kosovës kanë hyrë në ditën e katërt të grevës së tyre të urisë, me kërkesat për përmirësimin e pozitës së tyre dhe për nxjerrjen e ligjit që do të mbrojë pensionistët invalidë, ndërkohë që kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ka pritur sot disa udhëheqës të sindikatës së pensionistëve, të cilët këshilli grevist nuk i njeh.
Riza Shala, përfaqësues i kësaj sindikate tha se me kryeministrin Rexhepi kishin patur një takim shumë të frytshëm:
"Kaloi kohë e gjatë që kjo gjë po shtyhet edhe në një mënyrë, sikur nuk ka interes të mjaftueshëm për këtë shtresë, e cila sipas një rritjeje mund të ketë 150 mijë veta. Me kryeministrin u mirëkuptuam aq mirë, saqë morëm premtime të forta se bashkëpunimi ynë me ta do të jetë shumë më i shpeshtë dhe i frytshëm dhe së shpejti çështja e pensioneve do të rregullohet me ligj siç ka qenë përpara,"
tha zoti Shala për të shtuar se biseda me kryeministrit kryesisht është përqendruar në pensionet që shteti i Serbisë nuk i ka paguar për shumë vjet për pensionistët e Kosovës.
Mirëpo, përfaqësuesit e këshillit grevist thanë se delegacioni që ka vizituar kryeministrin, nuk ka të bëjë fare me grevën dhe me grevistët, të cilët edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore, kanë hyrë sot në ditën e katërt të grevës. Kryetari i këshillit grevist Nuhi Metaj, tha se ata as që e kishin ndërmend të kërkonin takime me zyrtarët e lartë të Kosovës:
"Ne nuk kërkojmë takim. Duhet të vijnë instancat këtu dhe të bisedojmë, pasi gjithkush i viziton grevistët. Është rregull, sepse me shku ne, jemi 6000 vetë dhe e zemë derën e parlamentit me gjithë këto batanije dhe nuk do të kenë si hyjnë zotërinjtë me çantat e mëdha për të mbajtur demagogji."
Ndërkohë, grevistët i ka vizituar sot kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Bahri Shabani:
"Në pikat që keni dhënë BSPK e mbështet nxjerrjen e ligjit për personat me aftësi të kufizuara, por kjo nuk do të thotë se ka qenë pengesë për mosnxjerrjen e një ligji për pensionistët invalidë. Ne e mbështesin fuqishëm një mbështetje ligjore për pensionistët invalidë".
Ndërkohë që nuk ka ndonjë shenjë se institucionet po bëjnë përpjekje për t’i dhënë fund kësaj greve duke përmbushur kërkesat e grevistëve. Udhëheqësi i grevistëve, Nuhi Metaj tha se ata nuk kanë dhënë ultimatume dhe as afate:
"Ne grevën nuk e kemi kufizuar. Nuk japim ultimatume-vetëm mund të vdesim".

XS
SM
MD
LG