Ndërlidhjet

NAJAF


Ministria e Brendshme e Irakut tha se forcat irakiene të sigurisë kanë hyrë në Xhaminë e Imam Aliut në Najaf, e cila ishte pushtuar nga milicia besnike ndaj klerikut radikal shiit Moqtada al-Sadr.
Policia dhe dëshmitarët okularë thanë se militantët e kishin braktisur xhaminë, përpara se të hyjnë forcat e sigurisë.
Raportohet se tani xhamia është nën kontrollin e policisë irakiene.
Zhvillimi i fundit vijoi pas bombardimeve intenzive që zgjatën disa orë, kur ushtria amerikane në orët e mëngjesit u dha fund sulmeve të kryengritësve nga afërsia e tempullit.
Ministria irakiene e Shëndetësisë tha se të paktën 77 irakienë janë vrarë dhe mbi 70 janë plagosur në 24 orët e kaluara në Najaf, ndërsa në Teheran, presidenti i Iranit Mohammad Khatami i kërkoi Organizatës së Konferencës Islamike të caktojë mbledhje urgjente kushtuar krizës në Irak.
Nga Bagdadi raportohet për dy ushtarë të vrarë amerikanë në provincën al-Anbar në perëndim të kryeqytetit.
Në një zhvillim tjetër në Irak, militantët e dyshuar të al-Sadrit i vunë zjarrin selisë së Kompanisë Jugore Irakiene të Naftës në Basra.
Incidenti ishte shkak për rritjen e çmimit të naftës. Në Nju Jork një fuçi arriti në 49 dollarë, ndërsa ekonomistët janë tejet të shqetësuar se çmimet e energjisë e dëmtojnë zhvillimin ekonomik në botë.
XS
SM
MD
LG