Ndërlidhjet

VAZHDOJNË PËRPJEKJET PËR T'I BINDUR SERBËT PËR TË DALË NË ZGJEDHJE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kosova ka krijuar një sistem shumë pozitiv që u krijon shumë favore pakicave, prandaj përfaqësuesit serbë nuk kanë nevojë të bëjnë kushtëzime për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës, kanë deklaruar sot në Prishtinë presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Rexhepi. Këto deklarata janë bërë në vargun e përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe të institucioneve të Kosovës për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 23 tetorit për parlamentin e Kosovës. Pas një takimi me shefin e OSBE-së, Pascal Fieschi, i cili ka vazhduar sot turneun e tij të përpjekjeve për të fituar përkrahjen e liderëve shqiptarë për të bindur serbët që të dalin në zgjedhje, kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova tha:
"Ne sinqerisht kemi krijuar një sistem aq pozitiv, edhe pse nuk dua të lavdërohem, por ka pak vende në Evropë dhe në botë që e kanë bërë këtë, ne kemi lënë vende të rezervuara për minoritetet dhe kemi lënë ministri të rezervuara dhe është në interesin e tyre që të marrin pjesë," tha presidenti Rugova, duke i ftuar serbët të marrin pjesë në zgjedhje, pasi pesë vjet pas luftës janë krijuar kushte shumë më të favorshme për serbët që të marrin pjesë në zgjedhje.
Mirëpo, Oliver Ivanoviç, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga koalicioni i serbëve "Kthimi" tha se qëndrimi i shqiptarëve ka rëndësi të madhe për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje apo për bojkotimin e tyre:
"Qëndrimi i shqiptarëve të Kosovës ka rëndësi shumë të madhe, pasi qëndrimi i tyre arrogant dhe jotolerant gjatë këtyre tre vjetëve që serbët kanë qenë në institucione është shkaku kryesor pse ne kemi dilema nëse duhet apo jo të dalim në zgjedhje," tha Ivanoviç, duke e quajtur këtë, në fakt, një dilemë banale.
Ai ka përsëritur se një nga kushtet është decentralizimi sipas planit të qeverisë së Serbisë që parasheh autonominë territoriale, kulturore dhe politike për serbët në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, duke ritheksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, tha se kushtëzimet janë të papranueshme:
"Janë disa vija të kuqe të cilat nuk mund të kalohen. Së pari nuk mund të bëhen me kushtëzime. Me kushtëzime kjo nuk mund të bëhet dhe kjo do të diskutohet edhe në Grupin e Kontaktit dhe edhe ata do t’i kenë qëndrimet e tyre".
Duke mos dashur të komentojë kushtëzimet dhe as vlefshmërinë e zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e serbëve, shefi i OSBE-së, ambasadori Fieschi tha se koha po kalon:
"Ende kemi edhe pak kohë për të manovruar. Mirëpo, jo aq shumë, pasi koha po ecën dhe sa më shumë që ecën koha, aq më pak njerëz do të mund të votojnë nëse merret vendimi për të marrë pjesë në zgjedhje," tha ambasadori Fieschi.
Mirëpo, përfaqësueit e serbëve kanë paralajmëruar se vendimi mund të merret nga fundi i muajit kur edhe pritet të mbahet një takim i Grupit të Kontaktit, ku do të shqyrtohen plani i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe i UNMIK-ut për decentralizimin, si dhe plani i qeverisë së Serbisë, si parakusht për të siguruar përkrahjen e Beogradit për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje. Mirëpo, kryeministri Bajram Rexhepi tha se mund të merren parasysh vetëm rekomandimet që janë në pajtim me dokumentin kornizë të qeverisë dhe UNMIK-ut për reformën e pushtetit lokal:
"Mirëpo dokumenti i Serbisë nuk mund të shërbejë si bazë," tha kryeministri Rexhepi.
Kushtëzimin e pjesëmarrjes në zgjedhje me zbatimin e planit të qeverisë së Serbisë, e ka quajtur të papranueshëm edhe presidenti Ibrahim Rugova:
"Nuk bën me kushtëzime. Ne jemi përcaktuar për decentralizimin që është një proces që merr kohë. Ne i kemi thënë po decentralizimit, por jo në vija etnike, por decentralizim vertikal në interes të të gjithëve."
Ndërkohë, ambasadori Fieschi do të vazhdojë përpjekjet e tij edhe në ditët e ardhshme, ashtu si edhe kryeadministratori Jessen Petersen, i cili sot këtë çështje e ka diskutuar edhe me kryeministrin Rexhepi.

XS
SM
MD
LG