Ndërlidhjet

PËRSHKALLËZOHEN POLEMIKAT NDËRMJET JOHN KERRYT E GEORGE BUSHIT LIDHUR ME VIETNAMIN


Radio Evropa e Lirë Kandidati demokrat për president, John Kerry ka kërkuar nga zyrtarët zgjedhorë që ta ndalin spotin televiziv që vë në dyshim të arriturat e tij në luftën e Vietnamit. Në këtë spot thuhet se zoti Kerry ka gënjyer lidhur me shërbimin e tij ushtarak dhe ka denoncuar pikëpamjet anti-luftë që ai i ka shprehur pas kthimit nga Vietnami. Senatori John Kerry ka akuzuar grupin që ka dorë në këtë spot se po punon në mënyrë ilegale për fushatën e presidentit George Bush. Këtë akuzë e ka përgënjeshtruar administrata e zotit Bush.

Spoti televiziv kundër të cilit ka reaguar kandidati demokrat për president amerikan, John Kerry, e që është krijuar nga një grup i veteranëve të luftës së Vietnamit, që veten e quan Swift Boat, sjell thekse të një dëshmie të John Kerryt para një komiteti të senatit amerikan në vitin 1971, pas kthimit të tij nga Vietnami. Në këtë spot në fjalët e atëhershme të zotit Kerry përgjigjet veterani i luftës së Vietnamit, Joe Ponder. Në dëshminë e tij në vitin 1971, zoti Kerry i kishte rrëfyer tregimet që i kishte dëgjuar për dyshimet për mizoritë e kryera nga trupat amerikane. Këto vërejtje, thotë grupi Swift Boat i kanë tradhëtuar trupat e Shteteve të Bashkuara që ende ishin në Vietnam. Ky është spoti më i ri i këtij grupi që i vë në dyshim të arriturat e zotit Kerry në luftë. Në një spot tjetër, grupi kishte akuzuar John Kerryn se ka gënjyer lidhur me plagosjen e tij në Vietnam dhe se i ka zmadhuar aktet e tij të heroizmit. Deri tash, shërbimi në luftën e Vietnamit, ishte një pikë e fortë e kandidatit demokrat për president amerikan, John Kerry. Zoti Kerry ishte dekoruar për trimërinë e tij dhe plagosjet që i kishte pësuar në luftime. Përkrahësit e tij, dosjen e luftës së zotit Kerry, ia kanë kundërvënë shërbimit të presidentit Bush, i cili luftën e kaloi në Shtetet e Bashkuara duke shërbyer në Teksas në Gardën Kombëtare Ajrore.

Gjatë një fushate të tij, John Kerry përsëri ua përkujtoi përkrahësve të arriturat e tij në luftë, duke thënë:

- Më lejoni ta bëjë të qartë. Unë e mbrojta vendim tim si i ri dhe unë do ta mbrojë atë si president i Shteteve të Bashkuara.

Spotit televiziv zoti Kerry i është përgjigjur duke thënë se grupi Swift Boat është i financuar nga fondi i republikanëve për fushatën e presidentit Bush. Këtë akuzë e ka hedhur poshtë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scot McClellan:

-Ne tashmë kemi thënë se ne nuk ishim të përfshirë në asnjë mënyrë në këto spote dhe këtë e kemi bërë të qartë. Mendoj se senatori Kerry po e humbë durimin pasi nuk ka asnjë arsye që ai ta sulmoj presidentin me të pavërteta.

Senatori John Kerry poashtu ka kërkuar nga Komisioni zgjedhor federal që ta detyroj grupin që ti tërheqë spotet e tij. Por, një zëdhënës i këtij komisioni ka tërhequr vërejtjen se kërkohet kohë për të vendosur se a ka apo jo ndonjë koordinim ilegal ndërmjet grupit Swift Boat dhe fushatës së zotit Bush. Njëherësh, duket se shërbimi në Luftën e Vietnamit do të vazhdoj të paraqitet në spote televizive. Grupi Swift Boat ka thënë se synon të transmetoj një rund të ri të spoteve gjatë javës së ardhshme në tri shtete në të cilat zoti Kerry ka folur për shërbimin e tij ushtarak. Poashtu edhe fushata e zotit Kerry ka transmetuar spotet e veta në të cilat paraqitet veterani që tregon se si zoti Kerry, gjatë shërbimit në Vietnam, ia ka shpëtuar jetën.
XS
SM
MD
LG