Ndërlidhjet

PUSHUESIT VENDAS LARGOHEN NGA PLAZHET SHQIPTARE


Lutfi Dervishi Tiranë

Gazeta e përditshme më e madhe në Shqipëri ka filluar të botojë në faqet e saj dhe parashikimin e motit për gjithë javën për dy qytetet shqiptare edhe një të Turqisë. Gazeta i informon lexuesit për motin në Durrës, Vlorë dhe Antalia. Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 35 000 shqiptarë kaluan pushimet këtë vit jashtë shtetit, kryesisht në plazhet e Turqisë. Në këtë shifër sigurisht që futet dhe kryeministri dhe disa ministra të kabinetit qeveritar. Në të njëjtën kohë rreth 100 000 emigrantë nuk janë kthyer për të kaluar pushimet këtë vit në Shqipëri. Humbja e llogaritur vlerësohet të jetë në 135 milion euro. Në ekranet e televizioneve shqiptare shfaqen rëndom reklamat e agjencive turistike për të kaluar pushimet në Antalia të Turqisë, apo në Egjipt dhe Marok. Mungon një hapësirë publicitare që bën thirrje për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. Po ashtu në pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë dhe hotelet mungojnë fletpalosjet me informacion për mundësitë që të ofron bregdeti i Adriatikut dhe i Jonit. Në kohën kur qeveria shqiptare përpiqet të bëjë propagandë dhe të prekë ndjenjat e shqiptarëve në Kosovë për turizmin patriotik, mungesës së përvojës, problemeve në infrastrukturë, i shtohet dhe ndotja e fundit e bregdeti Jon dhe mungesa e vëmendjes për zhvillimin e turizmit. Nuk është e mjaftueshme që kryeministri të lërë porosira të veçanta për agjencitë shtetërore që të jenë në gadishmëri 24 orë gjatë sezonit turistik. Do të ishte e dëshirueshme që kreu i qeverisë të kalonte disa ditë pushimi në Shqipëri. Në këtë mënyrë do të kuptonte që për njeriun që punon gjithë vitin, është e domosdoshme që dy javët e pushimit t'i bëjë pushim dhe jo zbor. Megjithë përmirësimet dhe investimet në rrjetin rrugor, gjendja e transportit drejt qyteteve bregdetare lë shumë për të dëshiruar. Është më e lehtë të shkosh në të gjithë kryeqytetet e rajonit sesa të mbërrish në Sarandë, një nga perlat turistike të vendit, që vijon të ketë problemin e ujit dhe të energjisë elektrike. Në të njëjtën kohë rruga që lidh Morinën me Durrësin, megjithëse shpallet si prioritet, mbetet një udhëtim i mundimshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë pushimet në Durrës apo Vlorë. Pushuesit tërhiqen nga tregu. Përgjithësisht në Shqipëri operohet me çmime të larta, duke sjellë një ngurim të turistëve dhe duke harruar se me çmime të larta realizohet investimi më i keq i mundshëm për të ardhmen. Është paradoksale që të kushtojë më lirë për të kaluar pushtimet jashtë shtetit. Si për t'i vënë kapak problemeve të gjithë turizmit së fundi shfaqet edhe ndotja e bregdetit të Jonit nga anijet greke. Qindra pushues i ndërprenë pushimet dhe u kthyen në shtëpi. Megjithëse janë hapur hetimet nga prokuroria e Vlorës, ka pak shpresa se do të arrihet në ndonjë përfundim. Zyrtarë të qeverisë shqiptare nxituan të shfaqësojnë palën greke por ende nuk kanë vënë gishtin e përgjegjësisë për shkaktarët. Një marrëveshje që ka lejuar marrjen e rërës nga plazhet e Himarës dhe Shëngjinit dhe marrëveshja për importimin e plerave nga Italia në Shqipëri, e firmosur në fshehtësi nga tre anëtarë të kabinetit qeveritar, dëshmojnë se jo vetëm nuk ka një koncept të qartë për të ardhmen turistike të vendit, por përkundrazi përfundimet e mësipërme të lenë të dyshosh se ka një dëshirë për të punuar kundër interesave të turizmit vendas. Tek e fundit ministrat i kalojnë pushimet jashtë vendit. Turizmi mbetet miniera më e madhe që ka në dispozicion Shqipëria. Por si në çdo minierë nëse e braktis, kostoja e rihapjes së saj është më e madhe se zbulimi i një vendburimi tjetër.


XS
SM
MD
LG