Ndërlidhjet

logo-print

AKTUALITETI NË MAQEDONI MUND T'I SHTYJË PROCESET INTEGRUESE


Zërijeta Hajro Jahjaga

Strukturat përkatëse shtetëtore janë fokusuar në përgatitjen e përgjigjeve sa më efikase të pyetësorit të Bashkimit Evropian, që në Shkup duhet të arrijë më së voni më 15 shtator, thotë udhëheqësi i sektorit për integrimet evropiane në kuadër të qeverisë së Maqedonisë.
"Koordinimi, përkatësisht aktivitetet rreth pyetësorit të Bashkimit Evropian në strukturat shtetërore, zhvillohen në disa drejtime. Fillimisht është formuar njësia qëndrore me të gjitha mekanizmat si në nivelin operativ, ashtu dhe në atë politik, që do të ketë për obligim koordinimin e përgjigjeve të pyetësorit", bën të ditur Dragan Tiliv, udhëheqësi i sektorit për eurointegrimet në kuadër të qeverisë së Maqedonisë. Ndërkohë zyrtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim vlerësojnë se shtyrja e zgjedhjeve lokale, për shkak të referendumit të organizuar nga opozita maqedonase kundër Ligjit për Ndarjen Territoriale, do t'i kushtojë shumë nota negative Maqedonisë karshi angazhimit për t'u integruar në Bashkimin Evropian.
"Referendumi që po organizohet është një aventurë e cila do t'i kushtojë mjaft republikës së Maqedonisë në të gjitha aspektet, në veçanti të anëtarësimit të saj potencial në Bashkimin Evropian. Referendumi po organizohet në periudhën kur ne jemi në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, por përveç asaj jemi në prag të marrjes së pyetësorit nga Bashkimi Evropian, që ka të bëjë me reformat dhe obligimet e republikës së Maqedonisë, si shtet i cili pretendon të bëhet kandidat për anëtarësim", thotë zëdhënësja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti. Nga ana tjetër ish zyrtarë të lartë të qeverisë vlerësojnë se pyetësori paraqet një nga sfidat kyçe për të ardhmen e vendit, meqë në këtë formë do të skenohen të gjitha mundësitë e vendit për realizimin e reformave në të gjitha segmentet. Ish zëvendëskryeministri në qeverinë e Georgievskit Zoran Kërstevski thotë se në përgjigjet e pyetësorit të Bashkimit Evropian në asnjë mënyrë nuk mund të inkorporohen gënjeshtra.
"Ne edhe më tej ushqejmë bindjen se do të mund t'i mashtrojmë por kjo nk funksionon më tej", thotë ishzëvendëskryeministri për eurointegrime Zoran Kërstevski, duke theksuar se gjithnjë Maqedonia i është përveshur punës momentin e fundit dhe këtu qëndron sipas tij difekti për mossuksese.



XS
SM
MD
LG