Ndërlidhjet

BËHET PUBLIK NJË PROJEKT PËR 900 VENDE TË REJA PUNE


Albana Isufi, Prishtinë

Hap i vogël, por shpresëdhënës, është quajtur nga kryeministri Bajram Rexhepi dhe shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen ,projekti i përbashkët i qeverisë, Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara dhe UNMIK-ut për hapjen e 900 vendeve të reja të punës.
Projekti që parasheh zbutjen e papunësisë në një afat të shkurtër, do të fillojë të zbatohet në tetor.
Kryeministri Bajram Rexhepi thotë se me këtë hap nuk do të zgjidhet problemi i papunësisë, por është një inciativë optimiste.
“Është një qasje e re, një përkushtim, që nëpërmjet një fondi fillestar prej 1 milion eurosh, të cilin kryeadministratori e dha nga kontigjenti rezervë, të fillojmë me këtë pilot-projekt të punësimit. Po ashtu është gatishmëria e qeverisë së Kosovës, por shpresojmë dhe donatorëve, që nëse ky projekt tregohet si i suksesshëm të vazhdojmë në këtë drejtim dhe ta kemi si prioritet kryesor krijimin e vendeve të reja të punës," tha Rexhepi.
Për shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, është me rëndësi që t’u tregohet të rinjve kosovarë, që janë të frustruar nga kushtet e dobëta sociale dhe papunësia, se gjërat po fillojnë të lëvizin.
“Unë kam përmendur javën e kaluar se siguria është baza mbi të cilin zhvillojmë çdo gjë. Siguria është ajo që na bën të ecim përpara edhe në fushën e ekonomisë. Por, në anën tjetër është e qartë se nuk do të ketë siguri, nëse nuk ecim përpara me ekonominë. Është shumë me rëndësi që ne të përçojmë te të rinjtë shpresë. Ky është vetëm hapi i parë, madje është një hap i vogël, por është fillim i një baze, mbi të cilën do të ndërtohet zhvillimi i strategjisë ekonomike afatmesme dhe afatgjate në Kosovë,” tha Petersen.
Shefja e UNDP-së në Kosovë, Christin Roth, shpjegon se me këtë program do të punësohen personat, që janë të regjistruar si të papunë, ndërsa përparësi do të kenë të rinjtë.
“Ne përdorim si bazë për këtë projekt 1 milionë euro dhe me këto para do të kemi përafërsisht 900 vende të reja pune.
Shumica e këtyre 900 të punësuarve do të jenë të rinj, sepse ne punojmë dy drejtime - në punësimin afatgjatë, që përfshijnë punëtorët mbi 40 vjet, të cilët mund të punojnë edhe 10 vjet të tjera dhe grupi për të cilin ne jemi shumë të interesuar është ai i moshës nga 18 deri në 31 vjeçare,” thotë Christin Roth.
Ajo thotë se vendet e reja të punës janë kryesisht punë në shërbimet publike.
Sipas studimeve të ndryshme të institucioneve financiare ndërkombëtare papunësia në Kosovë është mbi 50 për qind. Por, zyrtarët thonë se shifra mund të jetë më e lartë, pasi në zyrat për punësim nuk regjistrohen të gjithë të papunët.





XS
SM
MD
LG