Ndërlidhjet

logo-print

M. IBRAHIMI: NË KOSOVË NUK MUND TË FLITET PËR TRENDE ZHVILLIMI, POR PËR TRENDE MBIJETESE


Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ibrahimi, qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me UNMIK-un dhe UNDP-në kanë ndarë një fond prej 1 milion eurosh për hapjen e 900 vendeve të reja të punës. Si e vlerësoni ju këtë veprim?

MUSTAFË IBRAHIMI
Vërtet në aspektin e pranimit të këtij donacioni apo të këtyre mjeteve që i janë dhënë Kosovës për hapjen e vendeve të reja të punës, ne e përshëndesim dhe e vlerësojnë si akt shpresëdhënës se do të kemi edhe donacione të tjera dhe mbështetje financiare. Mirëpo të gjithë që mendojnë se Kosova apo ekonomia e Kosovës mund të ecë përpara në këtë mënyrë, me donacione dhe mbështetje financiare, e kanë gabim. Kosovës duhet t’i hapen mundësitë për zhvillim ekonomik. Në rend të parë Kosova duhet të pranohet si entitet i veçantë ekonomik, në rend të dytë këto institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Banka Evropiane, duhet në mënyrë të drejtpërdrejtë ta pranojnë Kosovën si partner dhe të lejojnë kredi, që mund ta përshpejtojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Me këtë rast, përshëndes aktin e qeverisë së Kosovës, UNMIK-ut dhe UNDP-së, por ky është vetëm një akt që ndoshta u jep sinjal të tjerëve se duhet të ndihmohet ekonomia e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është real një fond prej 1 milion eurosh për hapjen e 900 vendeve të punës?

MUSTAFË IBRAHIMI
Sipas vlerësimeve tona, për hapjen e vendeve të reja të punës, minimalisht duhet të harxhohen 10 mijë deri 15 mijë euro, prandaj duhet ta llogaritni vetë se cila është vlera tjetër reale, që do të mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës. Megjithatë, unë nuk i di detajet se si do të shpërndahen ato mjete në biznesin e vogël të Kosovës, por kam frikë se me këto mjete, vetëm sa do të hyhet në një rreth, i cili ndoshta nuk do të japë efekte pozitive, por më tepër do të jetë dëshpërues.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se ju nuk besoni se ky nuk është modeli më i mirë për zbutjen e papunësisë në Kosovë?

MUSTAFË IBRAHIMI
Gjithsesi, unë mendoj se nuk është modeli më i përshtatshëm për papunësinë e Kosovës, pasi edhe më përpara e thashë se ekonomisë së Kosovës duhet t’i hapen shtigje për të hyrë në tregun e lirë evropian. Në anën tjetër, përderi sa kosovarëve u pamundësohet dalja jashtë dhe ata nuk kanë pashaportë, por vetëm dokument udhëtimi, përderisa kosovarët nuk mund të kenë qasje në kontaktet me afaristët nga bota e rregullt ekonomike, vërtet se vështirë mund të flitet për ecje përpara. Ne flasim për trende zhvillimore, por këtu kemi vetëm trende të mbijetesës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ibrahimi, ekspertë të ekonomisë, por edhe të demografisë, kanë thënë se një nga rrugët për ta zbutur papunësinë në Kosovë janë edhe marrëveshjet me vendet e tjera, që fuqia punëtore e Kosovës të përdoret në vendet e tjera. Sa është kjo reale sipas jush?

MUSTAFË IBRAHIMI
Fatkeqësisht edhe një herë po e përmend këtë fjalë; shumë kontigjente të punëtorëve që i marrin Gjermania dhe vendet e tjera, i shfrytëzon Serbia dhe Mali i Zi dhe Kosova nuk ka fare qasje në ato kontigjente të punëtorëve. Unë mendoj se shtetet e Evropës do ta kishin më mirë sikur të pranonin në mënyrë të rregullt punëtorë nga Kosova, sepse njëra nga mënyrat e zbutjes së papunësisë është edhe ajo, ndoshta është edhe mënyra e vetme tani për tani. Në anën tjetër, në mënyrë indirekte i jepet edhe një impuls zhvillimit ekonomik në Kosovë. Përderisa Kosova mbyllet hermetikisht dhe afaristët nuk kanë mundësi të marrin viza normale për kontakte apo komunikim me partnerët e atjeshëm, natyrisht se nuk mund të ecet përpara. Vendet evropiane që do të pranonin, shtetet e BE-së, sigurisht se do ta lehtësonin papunësinë, do ta mbështetnin zhvillimin e ekonomisë së Kosovës por edhe Kosovën do ta afronin më afër vetes.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas vlerësimeve të Odës Ekonomike të Kosovës, cila është rruga më e mirë për zbutjen e shpejtë të papunësisë në Kosovë, meqenëse ky është një problem që vazhdimisht theksohet si një problem shumë urgjent?

MUSTAFË IBRAHIMI
Kosova ka mbi 51 për qind popullsi aktive të papunë. Nga ata mbi 60 për qind janë të pakualifikuar, ose nuk kanë kualifikim të përshtatshëm. Në rend të parë ekonomisë së Kosovës duhet t’i jepet mbështetje financiare, përmes institucioneve ndërkombëtare me kredi të volitshme, siç i shfrytëzojnë edhe shtetet e tjera. Në anën tjetër duhet të bëhet kualifikimi apo rikualifikimi i të rinjve që bredhin rrugëve të Kosovës dhe t’u mundësohet kosovarëve që në mënyrë të lirshme të dalin jashtë Kosovës dhe të komunikojnë me botën.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur është fjala për pjesëmarrjen në institucionet financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore e të tjera, Kosova nuk ka status të zgjidhur politik. A ka mundësi të tjera alternative që Kosova të mund të shfrytëzojë fondet, kreditë dhe përfitimet e tjera financiare?

MUSTAFË IBRAHIMI
Sigurisht se do të duhet shumë kohë të flitet për këtë çështje. Ne flasim gjithnjë për një siguri juridike, por është krijuar një pasiguri totale juridike me ndërprerjen e privatizimit dhe proceseve të tjera, të cilat e sjellin Kosovën në pozitë të pavolitshme në krahasim me vendet e tjera. Megjithatë, shumë vende të tjera që nuk kanë status të zgjidhur politik, si Palestina, pjesa e Qipros e të tjera, janë anëtare ose në cilësinë e vëzhguesit, anëtarit të dytë, apo në forma të tjera. Mirëpo ata i shfrytëzojnë të gjitha të mirat nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ne thjesht e bëjmë pyetjen se si është e mundur që një vend, të cilin e mbajnë nën protektorat Kombet e Bashkuara, nuk ka siguri. Nëse duhet të flitet për një garanci, atëhere garanci më të madhe se krejt bota nuk ka, në këtë rast Kombet e Bashkuara janë përfaqësuese të krejt botës. Me këtë rast, unë mendoj se kjo nuk është e lidhur me statusin politik të Kosovës, por me shumë probleme të tjera politike, të cilat ne thjesht nuk mund t’i kuptojmë. Rrjedhat normale zhvillimore të Kosovës duhet të jenë ecja e Kosovës drejt tregut evropian dhe botëror. Organizata Botërore e Tregtisë ka dhënë disa sinjale mjaft pozitive që Kosova mund të anëtarësohet, por megjithatë është dikush që po e pengon këtë çështje.

Intervistoi Rrahman Paçarizi



XS
SM
MD
LG