Ndërlidhjet

QEVERIA DHE UNMIK-U PO PËRFUNDOJNË HARTIMIN E POLITIKAVE EKONOMIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Nëse procesi i privatizimit në Kosovë nuk fiton në dinamikë, atëherë, sipas zyrtarëve të qeverisë vendore, do të nevojiten ndryshime të cilat do të përfshinin një rol shumë më të madh të qeverisë së Kosovës dhe do të kalonin UNMIK-un në rolin e monitoruesit. Këshilltari për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Behxhet Haliti, thotë se në procesin e privatizimit janë humbur më tepër se dhjetë muaj, kështu që mbetet e paqartë nëse procesi do të përmbyllet deri në mesin e vitit 2005, siç është paraparë në rregulloren për themelimin e Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit:
“Nëse nuk dinamizohet me një ritëm më të shpejtë për ta rikompenzuar stagnimin dhjetë mujor, atëherë ose do të rishikohet periudha kur do të përfundojë statusi i AKM-së, diku në qershor të vitit 2005, ose duhet të ripërcakohet mënyra e menaxhimit. Kjo do të përfshinte qoftë bartjen te vendorët dhe monitorimin nga UNMIK-u, ose një formë më të kënaqshme, e cila do të ndikonte në përmbylljen me sukses të këtij procesi tepër të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës”, pohon Haliti.
Zoti Haliti, thotë po ashtu se Qeveria e Kosovës deri në muajin shtator do të dalë me strategjinë e vet afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit ekonomik. Duke pasur parasysh se privatizimi është një prej elementeve kyçe në këtë zhvillim, Haliti thotë se strategjia ngërthen në vete edhe këtë çështje:
“Puna rreth strategjisë zhvillimore ka filluar prej mëse një viti dhe është e koordinuar aktualisht nga grupi ESPIG, grup i bashkëkryesuar nga zyra e Kryeministrit dhe shtylla e katërt. Në këtë kontekst edhe procesi i privatizimit është një prej elementeve kyçe që strategjia zhvillimore gjatë viteve të ardhshme do ta ketë si segment të caktuar, sepse një prej faktorëve që një reformë ekonomike të ketë sukses, është edhe përfundimi i procesit të privatizimit”, tha Haliti.
Sidoqoftë, gjatë procesit të deritanishëm të privatizimit, gjatë dy raundeve të para janë privatizuar 6 ndërmarrje, kurse 13 të tjera janë vënë për privatizim në raundin e tretë. Pritet që AKM të shpallë raundin e katërt gjatë muajit shtator, përderisa në listën e AKM-së qëndrojnë mbi 500 ndërmarrje të ish-sektorit shoqëror dhe publik që presin t’i nënshtrohen privatizimit.


XS
SM
MD
LG