Ndërlidhjet

logo-print

TËRHEQJA E TRUPAVE AMERIKANE I KUSHTON ALEANCAVE


Christian Science Monitor

Nxitja për ndryshim është e qartë. Tani që Lufta e Ftohtë ka përfunduar, Rusia nuk paraqet kërcënim real ushtarak. Nga aspekti strategjik në Evropë ka zhvillime të vogla të rëndësishme. Teknologjia moderne ushtarake mundëson që forca të projektohet në mënyrë efikase nga Shtetet e Bashkuara në pjesën tjetër të globit. Bile edhe në Kore, pa marrë parasysh krizën aktuale me Phenianin, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë nevojë për t'i mbajtur të gjitha forcat, që i kanë tani atje, vetëm për arsye ushtarake.
Në Evropën Perëndimore, dyshimet lidhur me vendimin e tërheqjes së forcës më tepër janë politiko – ushtarake se sa ushtarake. Aleatët e kuptojnë nevojën për ri-rreshtim të forcave gjatë disa viteve të ardhshme. Por koha e shpalljes do të mund të ishte planifikuar më mirë. Ka njerëz në Evropë që, për shkak të krizës më të keqe në marrëdhëniet trans-atlantike prej gjysmë shekulli, nuk janë të bindur se politika e Shteteve të Bashkuara po i rikthehet bashkëpunimit me aleatët e vet.
Në këtë aspekt, më i rëndësishëm është roli i Shteteve të Bashkuara në vendosjen e lidhjeve për aleancën e Natos. 50 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Komanda aleate e operacioneve është ende struktura e vetme komanduese ushtarake e integruar globale. 26 aleatët ende shohin mjaft gjëra të përbashkëta strategjike për ta arsyetuar bashkëpunimin nga dita në ditë, që mundëson jo vetëm plane për aksione të përbashkëta ushtarake, por edhe parashikime për ballafaqim të përbashkët me kërcënime. Aleatët ende dëshirojnë që gjenerali i Shteteve të Bashkuara të jetë komandant suprem i forcave aleate për Evropën.
Prandaj, me qëllim të mbajtjes së përgjithshme të sigurisë së Shteteve të Bashkuara, është e nevojshme që forca të mjaftueshme të mbahen vazhdimisht në bazat në Evropë, për të siguruar që Komanda e operacioneve të aleatëve të jetë e plotë dhe aktive me bashkëveprimin e mijëra njerëzve, në fushën e planifikimit, të trajnimit, të vendosjes, ndonjëherë edhe të luftës, duke parë se fatet e tyre janë të përbashkëta.
Në këtë kuadër, më pak trupa të Shteteve të Bashkuara do të thonë më pak lidership dhe më pak ndikim dhe kjo gjë nuk mund të jetë diçka e mirë për Shtetet e Bashkuara ose për aleancën.
Pothuajse pa përjashtim, secili oficer i lartë i Shteteve të Bashkuara, që ka udhëhequr ndonjë komandë rajonale, paraqet prova për mbajtjen e sa më shumë forcave që është e mundshme, nëse jo për arsye të tjera, atëherë për vlerën e bashkëveprimit njerëzor, që krijon dhe mban aleanca.
XS
SM
MD
LG