Ndërlidhjet

BUGAJSKI: DUHET MBËSHTETUR KRIJIMI I TRE SHTETEVE TË REJA BALLKANIKE


Janush Bugajski, drejtor për Evropën Lindore pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, si i ftuar i Radios Evropa e Lirë shpjegon arsyet përse Mali i Zi duhet të jetë shtet i pavarur dhe përse procesi drejt pavarësisë së Kosovës, Malit të Zi, dhe Serbisë duhet të ecë me hapa më të shpejtë në mënyrë që këto vende të mundësojnë integrimin në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike.
"Këto dy vite e gjysmë kanë dëshmuar se Bashkësia shtetërore Serbi e Mal i Zi, nuk është një zgjidhje praktike as për reformat e brendshme, as për integrimin në institucionet ndërkombëtare, as për dy njësitë përbërëse apo shtetin e përbashkët në të cilin ato janë momentalisht", tha Bugajski, sipas të cilit Unioni aktual është një dështim i rradhës duke iu bashkangjitur dështimit të Jugosllavive të mëparshme.
Por Bashkësia shtetërore Serbi e Mal i Zi sipas ekspertit amerikan është një eksperiment i dështuar që këtë herë po mbështetet nga Bashkimi Evropian.
"Frika që bashkësia ndërkombëtare ka nëse ndahet Mali i Zi nga Serbia, nuk ka të bëjë me këtë ndarje në vetvete, por ka të bëjë me çështjen e Kosovës. Me fjalë të tjera ndarja do ta bëjë të domosdoshme zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por bashkësia ndërkombëtare duhet të merret edhe me statusin e Kosovës ", tha Bugajski, i cili më tej ka shtuar:
"Statusi para standardeve mendoj është realiteti që duhet respektuar në politikat për të dyja, si për Kosovën dhe Malin e Zi. Dhe kjo pasi Unioni aktual nuk funksionon", vlerësoi Bugajski, i cili ka qenë i ftuar i Radios Evropa e Lirë.
Më tej ai ka shtuar se as NATO-ja dhe as Bashkimi Evropian nuk do pranojnë shtete, të cilat kanë probleme territoriale dhe me kufijtë. Kështu që integrimi i Serbisë do jetë i bllokuar deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe Malit të Zi.
"Serbia duhet të zgjidhë marrëdhëniet me Kosovën. Është një territor që nuk kontrollohet nga Beogradi, por që disa politikanë kanë ende disa pretendime, apo bëjnë sikur kanë pretendime në Kosovë, për të fituar pikë politike. NATO-ja nuk do të pranojë shtete të pasigurta, apo të tilla që kanë probleme me territoret dhe që synojnë të marrin territore të tjera, apo të kontrollojnë territore ku jeton popullsi shumicë, që nuk pranon një pushtet të tillë," ka nënvizuar Janush Bugajski.
Disa sektorë të elitës serbe, sipas Bugajskit e kanë kuptuar se vendi ka nevojë të përcaktojë qartë identitetin e tij dhe të heqë dorë nga disa iluzione për dominim rajonal, nëse do që të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare.
"Këta pragmatistë në Beograd duhet të mbështeten për të mirën e të tre shteteve të reja që janë në lindje e sipër nga ish-Jugosllavia dhe për Ballkanin në tërësi. Pra për të mirën e Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi," ka nënvizuar Bugajski, për të vazhduar se mjegullsia është ajo që nxit radikalët dhe politikën e korruptuar, madje dhe terroristët në Ballkan.
"Zgjidhja finale për Kosovën është pavarsia. Çështja është se si do shkohet deri atje. Nëse dëgjoni fjalët e Petersenit e kuptoni se ai është më i vendosur nga paraardhësit e tij lidhur me faktin se çështja e statusit duhet të zgjidhet nën autoritetin e tij. 5 vjet pas luftës nuk mund të shtyhet më tej çështja".
"Nëse Kosova duhet t'i bashkangjitet bashkësisë ndërkombëtare, familjes evropiane, duhet të ketë institucione që funksiojnë, ekonomi gjithashtu funksionale dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. Por këto varen nga bërja e shtetit të pavarur."
Lidhur me politikat amerikane dhe evropiane ndaj Ballkanit Bugajski ka shtuar:
"Mendoj se është e rëndësishme që SHBA-të të mbeten të angazhuara në rajon, derisa procesi i integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian të ketë përfunduar. Do të jetë shkatërrim nëse kjo punë e madhe e bërë të lihet përgjysëm. Bashkimi Evropian nuk ka kredibilitetin e SHBA-ve, jo vetëm në mes të shqiptarëve e boshnjakëve," tha Bugajski për të shtuar se Basllkani mund të përdoret si shembull pozitiv në përpjekjet për të stabilizuar Irakun.


XS
SM
MD
LG