Ndërlidhjet

logo-print

VAZHDON PAQARTËSIA RRETH TELEFONISË SË DYTË MOBILE


Albana Isufi, Prishtinë

Zyrtarët e UNMIK-ut me gjithë kërkesën e qeverisë që në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit të marrin hapat e mëtejshëm rreth zgjidhjes së problemit të telefonisë së dytë mobile në Kosovë, kanë hedhur topin në institucionet e Kosovës.
Zëdhënësja e UNMIK-ut Mechtild Henneke tha se pas anulimit të tenderit ndërkombëtar në të cilin kompania Mobikos qe shpallur fitues i telefonisë së dytë mobile në Kosovë, UNMIK-u nuk është më në lojë:
“Telekomunikacioni është kompetencë e bartur, kështu që ministri Zef Morina ka autoritet të plotë për të anulluar tenderin e telefonisë së dytë mobile dhe është përgjegjësi e tij që të njoftojë për hapat e ardhshëm”, thotë Henneke.
Zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit kanë thënë se hapi i ardhshëm do të jetë rishpallja e tenderit për telefonine dytë mobile. Por, nga kjo ministri nuk janë bërë të ditura detaje tjera, derisa ministri Zef Morina të kthehet nga vizita e tij në Shqipëri.
Por, rishpallja e tenderit kontestohet nga shefi i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit Anton Berisha.
“Ne përcaktojmë shpalljen e tenderit të dytë. Por, ne do të shpallim atë tender, nëse tregu e kërkon një operator të tretë dhe jo për këtë sepse është një proces i papërfunduar. Nuk mund ta shpallim tenderin përmes dy fjalive, sepse procesi është shumë i komplikuar dhe tenderi si tender nuk ka mundur të dështojë, sepse ai mund të dështojë vetëm në fazën finale të hapjes së ofertave. Atë ditë të gjitha kompanitë janë deklaruar se pajtohen me proceduarat kështu që tenderi ka qenë i sukseshëm.”
Berisha shton se çështja e kontestimit të fituesit është një gjë krejtësisht tjetër.
“Ne nuk jemi fajtorë që palët tjera, të cilat kanë të drejtë të interesohen si kryeministri, ministri apo UNMIK-u. Ato duhet të bëjnë dallimin mes dështimit të tenderit dhe kontestimit të fituesit. Këto janë dy gjëra të ndryshme që ata jo rrallë i kanë përzier,” tha Berisha.
Ndërkohë, zyrtarë të UNMIK-ut kanë thënë se do ta respektojnë çdo vendim të ministrit, madje edhe nëse rishpallet tenderi.
“Topi është në fushën e institucioneve të përkohshme dhe ministri mund të marrë çfarëdo vendimi, dhe ne do ta respektojmë atë ”thotë Henneke.
Por, kompania Mobikos ka paralajmëruar se do të ngrejë padi kundër Ministrisë, pasi konsideron se i është bërë padrejtësi.
Shefi i Autoritetit Rregullator të Telekomuniakcionti Anton Berisha shpreson se tërë ky problem do të zgjidhet brenda 10 ditësh pasi një grup pune i Ministrisë të sqarojë paqartësitë ligjore dhe profesionale.


XS
SM
MD
LG