Ndërlidhjet

PETERSEN: PA BASHKIMIN E QYTETIT S' MUND TË KETË SIGURI DHE ZHVILLIM EKONOMIK NË MITROVICË


Rrahman Paçarizi, Mitrovicë

Nuk mund të ketë ekonomi funksionale dhe siguri në Mitrovicë, përderisa ky qytet vazhdon të jetë i ndarë, ka thënë sot në Mitrovicë, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Peteresen, duke e cilësuar Mitrovicën njërin nga prioritetet e larta të punës së tij në Kosovë. Jessen Petersen, i cili për herë të parë e ka vizituar këtë qytet në këtë funksion, ka vizituar sot fshatin Frashër përkatësisht Svinjar, për të parë dinamikën e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara gjatë trazirave të marsit, pastaj ka takuar disa OJQ në pjesën jugore dhe është takuar me zyrtarë komunalë serbë në pjesën veriore.
Në një takim me gazetarët në fund të vizitës ai u shpreh kundër gjendjes aktuale në këtë qytet të ndarë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve:
"Në Mitrovicë nuk do të ketë ekonomi funksionale, përderisa Mitrovica të jetë e ndarë," ka thënë Jessen Petersen, për të shtuar se po ashtu nuk mund të ketë siguri pa ekonomi të zhvilluar.
Ai ndërkohë tha se u kishte bërë thirrje përfaqësuesve komunalë serbë të Mitrovicës, që të marrin pjesë në zgjedhje, pasi ata kanë përgjegjësi nga elektoratit që e përfaqësojnë:
"Përmes bojkotimit apo mospjesëmarrjes, ju do t’u bëni një shërbim të keq atyre njerëzve interesat e të cilëve duhet t’i mbroni," tha Jessen Petersen, duke shpjeguar porosinë që ua kishte përcjellë sot përfaqësuesve serbë në veriun e Mitrovicës.
Më herët, ndërsa po vizitonte vendpunishtet në fshatin Frashër, përkatësisht Sivinjar të Mitrovicës, i shoqëruar nga kryeministri Bajram Rexhepi dhe prefekti i Mitrovicës, Faruk Spahia, kryeadministratori Jessen Petersen tha:
"Është e qartë se ajo që ndodhi në mars kurrë më nuk duhet të ndodhë dhe ne do të bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë kurrë më," tha Jessen Petersen. Ai ka thënë se tani duhet kaluar nga faza e shkatërrimeve në fazën e rindërtimit, jo vetëm fizik, por edhe të infrastrukturës shoqërore. Kryeministri Rexhepi u shpreh i kënaqur nga dinamika e rindërtimit dhe premtoi angazhim të mëtejshëm:
"Fillimisht kemi vizituar fshatin Frashër, Svinjar që është me numrin më të madh të shtëpive të dëmtuara gjatë marsit. Mendoj se ekspertët e komunës kanë reaguar shpejt për të bërë vlerësimin e dëmeve dhe procesi i rindërtimit po shkon me dinamikën e paraparë," tha kryeministri Rexhepi, duke i shpjeguar kryeadministratorit Jessen Petersen se në këtë fshat më të shkatërruarin gjatë trazirave të marsit, janë djegur 137 shtëpi të serbëve.
Në anën tjetër, banorët serbë të fshatit thanë se ishin të kënaqur që po u ndërtoheshin shtëpitë dhe shprehën gadishmërinë për t’u kthyer, por i kanë kërkuar kryeadministratorit Petersen më shumë siguri dhe vende pune
"Unë si plak, kthehem vetëm për të vdekur, nëse nipërit nuk më kthehen, ndërsa atyre i duhet liria e lëvizjes dhe puna," tha Vojislav Joviç, përpara shtëpisë që po i rindërtohej. Duke shprehur pajtueshmërinë e plakun serb, shefi i UNMIK-ut tha se Kosova duhet të jetë një vend ku "edhe të rinjtë mund të kenë shpresa se këtu ka ardhmëri dhe kështu ju do të mund t’i ktheni nipërit tuaj në Kosovë."
Ndërkohë, zyra amerikane në Prishtinë ka njoftuar se qeveria e SHBA-ve do të japë 7 milionë e 250 mijë dollarë amerikanë për të përkrahur procesin e kthimit të personave të zhvendosur dhe refugjatëve në Kosovë, meqenëse kthimi është një nga tetë standardet, me përmbushjen e të cilave Kosova do të dëshmojë aftësinë e saj për vetëqeverisje efikase.


XS
SM
MD
LG