Ndërlidhjet

logo-print

SERBIA DORËZOI 38 KUFOMA TË SHQIPTARËVE TË VRARË GJATË LUFTËS


Albana Isufi, Prishtinë

Halit Berisha nga Theranda së bashku me shumë familjarë të tjerë nga anë të ndryshme të Kosovës kishte dalë për të dhjetën herë me radhë në Merdare, për të pritur kthimin e kufomave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.
Ai mendon se mbetjet e të vëllait, i zhdukur si 40 të afërmit e tjerë mund të jenë në qeset e bardha të plastikës, të sjella me një kamion nga Serbia.
“Ky është një krim, një poshtërsi e komunitetit ndërkombëtar, që na lejon neve të presim për të dhjetën herë, prandaj kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar një trysni shumë të madhe në autoritetet serbe që menjëherë, pa kurrfarë kushtëzimi, t’i kthejnë të gjithë eshtrat e shqiptarëve të vrarë”, thotë Halit Berisha.
Autoritetet serbe i dorëzuan sot në Merdare 38 kufoma të shqiptarëve të vrarë përfaqësuesve të UNMIK-ut. Kufomat janë zhvarrosur nga varreza masive në Batajnicë. Supozohet se viktimat mund t’i përkasin masakrës së Mejës, por identifikimi i tyre final do të bëhet në Morgun e Rahovecit.
Ndërkohë, derisa zyrtarët e UNMIK-ut nuk janë deklaruar për mediat, përfaqësuesi i shoqatave të Pengjeve të Zhdukura dhe Viktimave të Luftës, Sheremet Ademi, thotë se tërë zvarritja e kthimit të kufomave nga Serbia është një lojë politike.
“Vërtet jemi shumë të zhgënjyer dhe presim një reagim edhe më të fuqishëm, presim që të paktën të ketë një korrektësi dhe t’i jepet fund kësaj loje me ndjenjat tona”, thotë Ademi.
Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Kosovës Habit Hajredini, thotë se si institucione po kërkojnë vazhdimisht nga pushteti serb që të kthejë dhe identifikojë kufomat e gjetura në varrezat masive në Serbi.
“Kjo është një kërkesë e vazhdueshme dhe do të këmbëngulim që të bëhet një riatdhesim në Kosovë dhe identifikim sa më i shpejtë, të kthehen të gjitha kufomat në Kosovë dhe të mos përsëritet kjo që po ndodh, që një ditë të kthehen 30, ditën tjetër 15”, tha Hajredini.
Në varrezat masive të Batajnicës dhe Petrovo Selos janë gjetur rreth 900 kufoma të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës. Deri tani janë kthyer rreth 300. Përfaqësuseit kosovarë si dhe zyrtarë të Zyrës për Personat e Zhdukur të UNMIK-ut, vazhdimisht kanë kërkuar nga pushteti serb shpejtimin e procesit të kthimit të të gjitha kufomave. Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të kthehen mbi 500 kufomat e tjera të zhvarrosura nga varret masive në Serbi.


XS
SM
MD
LG