Ndërlidhjet

SHBA NUK KANË PLANE PËR REDUKTIMIN E TRUPAVE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, kampi Bondsteel

KFOR-i amerikan nuk ka informacione se në Kosovë po përgatiten trazira si ato të marsit, ndërkohë që situata në sektorin lindor të KFOR-it është përmirësuar shumë që nga marsi, ka deklaruar komandanti i kontigjentit amerikan të KFOR-it, gjeneral brigade Rick Erlandson. Këto komente gjenerali Erlandson i ka bërë në një konferencë me gazetarë në kampin Bondstill, teksa shoqërohej nga gjenerali Tod Carmony, i cili do ta marrë komandën mbi forcat e sektorit lindor më 31 gusht.
Gjenerali Erlandson në konferencën e fundit për shtyp tha se dekaratat e fundit të zyrtarëve të shërbimeve të Zbulim-Kundërzbulimit të Serbisë se në Kosovë po përgatiten trazira dhe sulme kundër KFOR-it dhe pakicave janë të pavërteta:
"Deri tani shërbimet tona të kundëzbulimit nuk tregojnë se mund të ketë ndonjë kërcënim serioz për forcat e KFOR-it në sektorin lindor," tha gjenerali Erlandson, ndërkaq, gjenerali tjetër që do ta zëvendësojë atë, Tod Carmony tha se pavarësisht nga ndërrimi i komandës, përkushtimi mbetet e njëjtë:
"Ne e kuptojmë rëndësinë e këtij misioni që po fillojmë, ndërsa përkushtimi i Amerikës dhe i ushtarëve që i shihni duke patrulluar mbetet i fortë dhe i palëkundshëm," tha gjenerali Tod Carmony, i cili më 31 gusht merr komandën mbi forcat e Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes. Ata thanë ndërkaq se ky përkushtim do të vazhdojë dhe se nuk parashihet zvogëlim i trupave amerikane. Gjenerali Rick Erlandson tha se nuk kishte dijeni që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kishin caktuar ndonjë afat për reduktimin apo tërheqjen e forcave amerikane nga Kosova:
"Ajo që e di është se divizioni që ka ardhur do të jetë këtu për gjashtë muaj, ndërsa divizioni që do t’i zëvendësojë ata ka filluar tashmë përgatitjet," tha gjenerali Erlandson, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit të KFOR-it me policinë vendore dhe me qytetarët e Kosovës për të realizuar mandatin që ka KFOR-i për krijimin e ambjentit të sigurt për të gjithë.
Sidoqoftë, tha gjenerali Erlandson, trazirat e marsit që shkaktuan aq shkatërrime dhe të këqija, duhen lënë pas vetes dhe duhet ecur përpara:
"Është arritur një përparim që nga marsi dhe ai përparim po vazhdon edhe sot. Sipas komisariatit për refugjatë, në rajonin e Gjilanit 60 për qind e të zhvendosurve gjatë trazirave të marsit janë kthyer në shtëpitë e tyre," tha gjenerali Erlandson, duke kërkuar edhe nga strukturat komunale të rajonit të Gjilanit që të vazhdojnë bashkëpunimin për ta kthyer normalitetin dhe për të përmbushur standardet në të mirë të së ardhmes së Kosovës.





XS
SM
MD
LG