Ndërlidhjet

PETERSEN: KOSOVA NUK DUHET TË KETË MË KAMPE REFUGJATËSH


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ekzistimi i kampeve me refugjatë, edhe pas më tepër se pesë viteve të mbarimit të luftës, është diçka që i na bën të turpërohemi të gjithë ne në Kosovë dhe është tregues se këtu askush nuk ka punuar sa duhet, ka pohuar sot shefi i administratës së UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Këto komente, ai i ka bërë gjatë një vizite të përbashkët me kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepin, në kampin e refugjatëve me romë e ashkalinj në Plemetin të Kastriotit, ish-Obiliqit, prej nga më pas vizituan dhe një kamp tjetër me të zhvendosur serbë, të cilët u detyruan të strehohen aty në bazën e KFOR-it pas trazirave të marsit.
Romëve e ashkalinjve në kampin e Plemetinit, shefi i UNMIK-ut dhe ai i qeverisë së Kosovës, u kanë premtuar, se së shpejti do të gjendet zgjidhje adekuate për ta, ndërsa të zhvendosurve serbë, pas rindërtimit të shtëpive e apartamenteve të rrënuara, u premtuan t’u ndajnë dhe nga 2 mijë euro për familje dhe ndërtimin e objekteve përcjellëse.
“Fjala kamp nuk guxon të përdoret më, sepse nëse kjo fjalë mbetet ende në përdorim, atëherë kjo tregon se ne, si autoritetet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare nuk kemi punuar sa duhet”, tha shefi i UNMIK-ut, Jessen Petersen. Ai tha se nuk e kishte besuar që edhe pas gati pesë viteve, kur ai në cilësinë e zyrtarit të UNHCR-it e kishte vizituar, do ta gjente ende ashtu siç ishte kampin i cili, siç vlerësoi edhe ai “duket i tmerrshëm” për nga kushtet që ofronte për banorët e strehuar.
Në anën tjetër, kryeministri Rexhepi, tha se UNHCR do të përfundojë përkujdesjen gjatë fundit të këtij viti për këtë kamp, kështu që ai premtoi ndërmarrjen e masave të qeverisë për kujdesin ndaj 460 të strehuarve në të:
“Ky kamp duhet të mbyllet dhe të krijohen mundësitë që ata të kthehen në vendet e tyre ku do t’u krijohen kushtet e jetesës ose të gjendet ndonjë lokacion për t’u ndërtuar qendra të strehimit kolektiv”, tha kryeministri Rexhepi.
Ndërkohë, kryetari i kampit, Bajrush Berisha, tha se brengat se sa kohë do të zgjasë jeta e tyre në atë kamp, me kushte të mjerueshme, janë shtuar dhe me hallet e tjera, pas paralajmërimeve për largimin e UNHCR-it:
“E kishim një brengë se sa do të vazhdojë kjo jetë e vështirë në kamp, mirëpo tani i kemi shtesë edhe dy brenga të tjera, çdo të bëhet me ne edhe kush do ta marr përgjegjësinë gjatë vitit 2005 si dhe a do të ketë donatorë”, tha Berisha.
Rrugëtimi i Petersenit dhe Rexhepit, vazhdoi një kilometër më larg në kampin e përkohshëm me të zhvendosurit serbë të asaj ane. Atyre, u tha se u janë ndërtuar shtëpitë, por tani prisnin paratë e premtuara që të ktheheshin dhe të blenin inventarin e domosdoshëm për të rifilluar jetën, pas trazirave të marsit. Për dallim nga romët e ashkalinjtë që i priten me duartrokitje premtimet e shefit të Qeverisë së Kosovës dhe atij të UNMIK-ut, të strehuarit serbë kërkonin t’i marrin më shpejt paratë e premtuara që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.
Pakënaqësive të shumta të qytetarëve serbë, më pas kryeministri u është përgjigjur:
“Shtëpia ime është djegur në pjesën veriore, kurse nuk kam marrë kurrëfarë ndihmash por kam huazuar që ta rehabilitoj atë, sikurse edhe shumica e shtëpive të djegura të shqiptarëve, të cilët me këso lloj ndihmash nga organiztat e ndryshme i kanë rehabilituar sshtëpitë e tyre”, tha kryeministri Rexhepi, duke u sqaruar këtyre banorëve se mundësitë e qeverisë janë që pas rindërtimit të shtëpive, atyre t’u ndahen nga 2 mijë euro për familje dhe t’u ndërtohen objektet përcjellëse. Më pas atyre u është drejtuar edhe zoti Petersen duke u munduar t’’i bindë se masat e ndërmarrura nga qeveria janë reale. Ai tha po ashtu se herën tjetër, kur do t’i vizitojë këto anë nuk dëshiron t’i shoh më kampet me njerëz të strehuar ku kushtet për jetë janë shumë të rënda.



XS
SM
MD
LG