Ndërlidhjet

GJENERALI KAMERHOFF: SIGURIA NË KOSOVË ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Siguria në Kosovë është elementi thelbësor për të gjitha zhvillimet e tjera, kurse çështja e Mitrovicës është problem politik, me të cilin do të merren edhe Kombet e Bashkuara, ka thënë sot në Prishtinë, komandati i KFOR-it, gjenerali Holger Kamerhoff. Këto komente ai i bëri në një konferencë për shtyp, në fund të mandatit të tij. Forca e
KFOR-it do të vazhdojë të përkujdeset për një mjedis të sigurt në Kosovë, por kjo në rend të parë kërkon vëmendjen e kosovarëve që të punojnë për vetëveten, tha gjenerali Kamerhoff. Siguria në Kosovë, tha ai, është element thelbësor për të gjitha zhvillimet e tjera, përfshirë këtu dhe fazën e vlerësimit të standardeve gjatë mesit të vitit të ardhshëm:
“Kam zhvilluar shumë takime me liderët kosovarë dhe u kam thënë atyre qartë se ju jeni instanca e parë, që duhet të krijojë mjedis të sigurt, kurse ne bashkësia ndërkombëtare, më pas do ta vlerësojmë këtë, që nënkupton vlerësimin e standardeve dhe do të shihni se bashkësia ndërkombëtare do t’i marrë parasysh këto zhvillime”, tha gjenerali Kamerhoff. Ndërsa lidhur me statusin e Kosovës, KFOR-i nuk përfshihet në këtë çështje, tha ai.
Një vëmendje të posaçme, Kamerhoff u kushtoi dhe problemeve ndëretnike në Kosovë dhe integrimit të komunitetit serb.
Në këtë aspekt, Mitrovica, tha ai, është problem politik me të cilin do të merren edhe Kombet e Bashkuara, por ky nuk është problemi i vetëm i tillë, kur dihet se në Kosovë ka dhe enklava të tjera me probleme të ngjashme, ka thënë Kamerhoff. Ai megjithatë u është kundërvënë vlerësimeve se KFOR-i nuk ka arritur të garantojë në Mitrovicë një mjedis të sigurt për të gjithë:
“Sidomos në Mitrovicë KFOR-i nuk është ai që merret me sigurinë, pasi atje kjo përgjegjësi i është dorëzuar policisë së UNMIK-ut dhe asaj vendore”, tha gjenerali gjerman. Sipas tij, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje dhe integrimi i tyre në jetën institucionale e shoqërore, është me rëndësi të posaçme edhe për integrimin e Mitrovicës, për çka, shtoi ai, është duke u angazhuar dhe zoti Petersen në bisedimet që do t’i zhvillojë me autoritetet e Beogradit të hënën.
Ai i ka përgënjeshtruar në vazhdim edhe disa paralajmërime nga shërbimet serbe se në Kosovë priten trazira të reja, duke pohuar se shërbimet e KFOR-it nuk kanë të dhëna se diçka e tillë mund të ndodhë në Kosovë:
“Besoj se të gjithë e kanë kuptuar se ajo që ndodhi në mars e ka dëmtuar shumë imazhin e Kosovës, kurse tani edhe ne jemi shumë më të përgatitur”, tha Kamerhoff. Ai tha se dëshiron që në Kosovë të shohë zgjedhje të lira dhe institucione funksionale që do t’u përkushtohen standardeve dhe që dhuna të mos përsëritet. Për momentin, komandanti aktual i KFOR-it, vlerësoi se nuk sheh ndonjë arsye që Kosova ta ketë Shërbimin e vet të Inteligjencës, pasi edhe ashtu, siç tha ai, Kosova nuk ka forca të vetat, që do të reagonin konform paralajmërimeve të shërbimit të saj eventual. Kurse në aspektin e jashtëm, Kamerhoff tha se KFOR-i shkëmben informata edhe me vendet fqinje, përfshirë këtu dhe forcat serbe.
Gjenerali gjerman Holger Kamerhoff, do t’i dorëzojë komandën pasardhësit të tij në këtë post, gjeneralit francez Iv de Cermabon. Dorëzimi i komandës bëhet më 1 shtator, një muaj para skadimit të mandatit të gjeneralit Kamerhoff, për shkak se është vlerësuar se ndërrimi i komandës duhet të bëhet afërsisht dy muaj para zgjedhjeve në Kosovë në mënyrë që KFOR-i të jetë më i përgatitur.


XS
SM
MD
LG