Ndërlidhjet

logo-print

PATRICK MOORE: PRES PARAQITJE SERIOZE NGA KANDIDATËT


"Ende pres se do të ketë paraqitje serioze nga të dy kandidatët, sa i përket politikës së jashtme dhe sidomos politikës në Ballkan. Dëshrioj ta di se çfarë do të bëhet me Bosnjën, me Kosovën dhe me Serbinë", thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore, duke folur për fushatën për zgjedhje presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Të enjtën, Washington Posti shkruajti se përvoja amerikane në Vietnam ende po reflekton në politikën amerikane. Ky koment bëhej lidhur me fushatën zgjedhore në Shtetet e Bashkuara dhe çështjen e Luftës së Vietnamit në këtë fushatë. Si e shpjegoni ju një ndikim të tillë të kësaj lufte në zgjedhjet presidenciale amerikane?

PATRICK MOORE
Çështje këtu nuk është aq shumë lufta në Vietnam, por ajo që kanë thënë zoti Kerry apo zoti Bush për rolin e tyre në të. Çështja këtu është ndershmëria, a po tregonin të vërtetën për atë që bëri apo nuk bëri gjatë luftës së Vietnamit. Shkurtimisht, amerikanët nuk duan një gënjeshtar për president dhe është e rëndësishme të shihet se a është treguar e vërteta. Në mënyrë më të detajuar, ajo që po ndodh këtu është që disa persona kanë sugjeruar se zoti Bush ka gënjyer për punën e tij në Gardën kombëtare të forcave ajrore në Jug gjatë luftës së Vietnamit. Ai nuk ka shërbyer në luftën e Vietnamit, por ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara në një pozicion, të cilin e pat, sipas disa njerëzve, në sajë të influencës politike të babait të tij. Ndërsa,për zotin Kerry, disa njerëz thonë se gënjeu për eksperiencën dhe mori medalje, të cilat nuk i meritonte, pavarësisht se këto medalje iu dorëzuan në kohën kur për to u krye një hetim nga një komision ushtarak. Pse kjo çështje e ndershmërisë dhe e gënjeshtrave është kaq e rëndësishme në kulturën politike? Më 1974 na kujtohet se presidenti Riçard Nikson, ishte i pari dhe i vetmi president amerikan i detyruar të jepte dorëheqjen nga posti i tij, posti më i fuqishëm në botë, për shkak të aferës së Watergate. Pse? Sepse u zbulua se kishte gënjyer për ato që dinte, sa u përkiste aktiviteteve nga njerëzit e tij për të përçarë dhe spiunuar partinë opozitare në zgjedhje. Më 1972 zoti Nikson i fitoi zgjedhjet mjaft lehtë, nuk kishte nevojë të spiunonte opozitën, por gënjeshtra për rolin e tij në këtë spiunazh ndikoi që ai ta humb postin. Njerëzit në Kosovë e njohin presidentin Clinton si një hero të madh, por njerëzit në SHBA, gjithashtu, mbajnë mend se në më shumë se në një rast, dukej se ai e gënjente publikun për rolin e tij në një skandal seksual me një punëtore në Shtëpinë e Bardhë. Kjo pothuajse i kushtoi atij postin e presidentit. Prandaj çështja e ndershmërisë dhe gënjeshtrave është shumë e rëndësishme në kulturën politike amerikane. Dhe kjo është tema për të cilën diskutohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kishte polemike të ashpra ndërmjet demokratëve e republikanëve lidhur me spotet televizive. Është raportuar se, lidhur me këto spote, ka pasur edhe dorëheqje individuale nga fushata e zotit Bush. Sipas jush çka do të thotë kjo për këto zgjedhje?

PATRICK MOORE
Kjo ndërlidhet me pyetjen e mëparshme. Është çështja e ndershmërisë. Le të shqyrtojmë kush i vuri këto reklama televizive, kush i bëri ato. Është një grup veteranësh ushtarakë të Vietnamit, që kanë shërbyer në marinë dhe zoti Kerry ka qenë komandant i tyre gjatë luftës së Vietnamit. Ata pretendojnë se zoti Kerry ka gënjyer për aktivitetin e tij ushtarak. Problemi qëndron se ky grup veteranësh deklaronte se ishin totalisht të pavarur nga fushata elektorale e presidentit Bush dhe që po vepronin kështu thjesht për të kërkuar të vërtetën lidhur me aktivitetin luftarak të zotit Kerry. Njerëzit e zotit Kerry hetuan për këtë grup dhe zbuluan se disa prej këtyre njerëzve ishin të lidhur personalisht, jo vetëm me fushatën elektorale të zotit Bush, por edhe me familjen e tij dhe shumë fonde që kishte marrë ky grup veteranësh gjithashtu ishin dhënë nga burime të afërta me fushatën e presidentit Bush dhe familjes së tij. Pra këto fakte nuk mbështetën pavarësinë e tyre nga fushata Bush. Kjo është arsyeja e dorëheqjes së javës së kaluar të një personi të fushatës së Bushit, një avokati i cili gjithashtu i kishte dhënë këshilla juridike këtij grupi të veteranëve. Ishte çështja e ruajtjes së imazhit të ndershmërisë dhe të neutralitetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Artikulli, që e përmenda, sugjeronte se zoti Kerry dhe presidenti Bush do të duhej ti përgjigjeshin opinionit publik lidhur me fitoren ndaj terrorizmit islamik, e jo të luftojnë me shpallje lidhur me të kaluarën. Cili është komenti juaj lidhur me këtë sugjerim?

PATRICK MOORE
S'kam se si të mos jem dakord me këto sugjerime. Marina amerikane, në atë kohë, ka zhvilluar hetime për aktivitetin ushtarak të zotit Kerry dhe pastaj e dekoroi me medalje. Po ashtu edhe për aktivitetin ushtarak të zotit Bush janë bërë hetime. Gjatë konventës së demokratëve kishte diskutime të pafundme në mediat amerikane sa i përket karakterit të zotit Kerry, personalitetit të tij, gruas dhe fëmijëve të tij. Kemi patur të njëjtat diskutime për fëmijët e zotit Bush, për personalitetin e tij, etj. Më vjen keq, por këto lloj diskutimesh janë absolutisht të panevojshme dhe një humbje kohe. Kam jetuar 17 vjet në Gjermani dhe më duhet të them se gjermanët e kanë më mirë se ne në Shtetet e Bashkuara, sepse e lënë jashtë politikëse jetën personale dhe familiare të politikanëve dhe nëse dikush e vë veten në probleme duhet të japë dorëheqjen. Por kjo është një çështje tjetër. I kam ndjekur me vëmendje të gjitha diskutimet në mediat amerikane dhe kam mbetur i habitur pasi ne nuk do të zgjedhim dikë me të cilin do të dalim të shkojmë në restorant, nuk po zgjedhim dikë për të shkuar në meshë, por po zgjedhim presidentin e Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye unë si shtetas dua të di për çështje të rëndësishme. Ende pres se do të ketë paraqitje serioze nga të dy kandidatët sa i përket politikës së jashtme dhe sidomos politikës në Ballkan. Dua të di se çfarë do të bëhet me Bosnjën, me Kosovën dhe me Serbinë.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG