Ndërlidhjet

MANDATI I PARË I BUSHIT E NDAU KOMBIN


JEFFREY DONOVAN

Katër vjet pasi republikanët e nominuan si kundërkandidat të ish presidentit të atëhershëm Al Gore, George Bush sërish do ta nominohet nga partia e tij për president të Shteteve të Bashkuara, por këtë herë si president, i cili do të sfidohet nga demokrati John Kerry.
Presidenca e Bushit ka qenë ndër më të trazuarat në historinë e re amerikane.
Pas marrjes së detyrës pas zgjedhjeve kontraverze të vitit 2000, Bushi shpejt u përball me sulmet e 11 shtatorit, një ngjarje që ish guvernatorin nga Teksasi e shndërroi në një president të luftës, të përcaktuar fuqimisht t'u përgjigjet kërcënimeve nga terrorizmi, madje edhe me tjetërsimin e aleatëve tradicionalë të Amerikës.
"Zoti kryesues, delegatë dhe bashkëqytetarë, me krenari e pranoj nominimin tuaj", tha Bushi para 4 viteve kur u nominua në Philadelphi.
Të enjten ai sërish do ta marrë nominimin e partisë. Por këtë herë, Bushi do të përballet me sfiduesin demokrat John Kerry jo si një guvernator i pa-përvojë nga Teksasi, por si një i vetëshpallur president i luftës, i cili i priu kombit në luftën globale kundër terrorizmit, të nxitur nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Bushi ishte në krye të vendit në kohën kur politika e jashtme amerikane u trazua nga luftërat në Afganistan dhe në Irak, ndërsa e miratoi edhe doktrinën kontraverze të sulmit "parandalues", sipas së cilës Shtetet e Bashkuara e ruajnë të drejtën t'i neutralizojnë kërcënimet e mundshme duke sulmuar të parët.
Ngjarjet dhe politikat e këtilla çuan në polarizimin e opinionit amerikan para zgjedhjeve të 2 nëntorit, kurse gjithashtu ndihmuan tjetërsimin e shumë aleatëve tradicionalë amerikanë në Evropë, si dhe në botën islamike.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, në të cilat u vranë rreth 3.000 njerëz, bota shpejtoi t'i mbajë anën Amerikës. Bushi këtë e theksoi në fjalimin në Kongresin, vetëm 9 ditë pasi militantët islamikë i përplasën aeroplanët në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe në Pentagon, në Uashington.
"Amerika kurrë nuk do t'i harrojë tingujt e himnit tonë kombëtar që u dëgjuan në Pallatin e Bakingamit, në rrugët e Parisit dhe Portën e Branderburgut në Berlin. Nuk do t'i harrojmë fëmijët jugkoreanë, që u tubuan para ambasadës sonë në Seul, apo lutjet që u bënë në xhamitë e Kairos. Nuk do t'i harrojmë momentet e heshtjes dhe ditët e zisë në Australi, në Afrikë dhe në Amerikën Latine", tha presidenti amerikan.
Përgjigja e parë e Bushit ndaj sulmeve ishte invadimi në Afganistan në vitin 2001, për të përmbysur regjimin e Talibanëve dhe luftuar militantët e Al-Kaidës që strehoheshin atje, përfshirë kreun e rrjetit, Osama bin Laden.
Por, përderisa aleatët evropianë të Amerikës e mbështetën këtë përpjekje, e cila çoi shpejt në rrëzimin e talibanëve, ata shpejt shfaqën brengosje për atë që e cilësuan si qasje unilaterale në politikën e jashtme amerikane.
Administrata e Bushit gjithashtu vendosi të mos e ratifikojë Protokollin e Kjotos për ngrohjen globale, si dhe të tërhiqet nga një varg nismash ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Krime të Luftës.
Në dhjetor 2001, Bushi i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja me Rusinë për Raketat Anti-balistike, të cilën shumica e shihnin si gurthemel i kontrollit të armëve bërthamore.
Pastaj erdhi invazioni në Irak në mars 2003. Lufta për rrëzimin e Saddam Husseinit pati sukses, por i dëmtoi dukshëm marrëdhëniet me Francën dhe Gjermaninë, si dhe nxiti valën e ndjenjave anti-amerikane në botë.
Edhepse armët bërthamore në Irak nuk u zbuluan, nënpresidenti Dick Cheney muajin e kaluar fuqishëm e mbrojti vendimin e administratës për luftë.
"Sot, 15 muaj më vonë, Saddam Husseinit i lexohet aktpadia në gjykatën irakiene, ku do të përballet me drejtësinë, të cilën ua ka mohuar miliona njerëzve. Para 15 muajsh, ai e kishte kontrollin absolut të një diktatori, por tani Iraku është një vend ku qeveria përgjigjet para njerëzve, dhe jo e kundërta", tha nënpresidenti Dick Cheney.
Por ish presidenti amerikan Jimmy Carter, në një fjalim në Konventën e Demokratëve në korrik, do të deklaronte:
"Shtetet e Bashkuara i kanë tjetërsuar aletët e tyre, i kanë trembur miqtë, dhe fare padashur i kanë kënaqur armiqtë e vet, duke proklamuar një strategji konfuze dhe shqetësuese për "luftën parandaluese", tha ish presidenti Jimmy Carter.
Në planin e brendshëm, Bushi ka ndërmarrë politika, që janë duartrokitur nga mbështetësit, por ashpër janë kritikuar nga kundërshtarët. Ato përfshijnë uljen e taksave, për të cilat kritikët thonë se vlejnë vetëm për amerikanët e pasur. Ndërkaq mbështetësit e lavdërojnë për mbajtjen gjallë të ekonomisë, në kohën kur ekonomia globale shënon rënie.
XS
SM
MD
LG