Ndërlidhjet

KREU I UNMIK-ut PETERSEN VIZITON BEOGRADIN


Marash Berisha, Beograd

Petersen me të ardhur në Beograd shprehu bindjen se kjo vizitë e tij shënon fillimin e dialogut të hapur, të sinqertë dhe transparent me Beogradin dhe theksoi se si përparësi në punën e tij të ardhshme sheh sigurinë, ekonominë, shpejtimin e aplikimit të standardeve dhe decentralizimin. Më poshtë ai vuri në dukje se është shumë e rëndësishme që në Kosovë të vendoset paqja dhe të formohet një shoqëri multietnike, ku do të mund të jetojnë të gjithë qytetarët. Për këtë qëllim është shumë e rëndësishme të vendoset bashkëpunimi direkt dhe i hapur me Beogradin, nënvizoi ai. Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, pas takimit me Petersenin tha se kanë biseduar për decentralizimin në Kosovë dhe për garanci të reja të sigurisë për të gjithë qytetarët, si dhe për mënyrën e formimit të një sistemi ekonomik të qëndrueshëm. Ai ka shtuar se Kosova është sfida më e madhe me të cilën ballafaqohet sot Evropa dhe i ka dhënë prova kryeadministratorit të UNMIK-ut Petersen se Serbia do të respektojë rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm Drashkoviç dhe kryeadministratori i UNMIK-ut Petersen shprehën vlerësimin se statusi evropian i Kosovës, është jo vetëm në interesin e të gjithë qytetarëve të saj, por edhe të gjitha vendeve të rajonit. Drashkoviç theksoi se është tepër herët të hapet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës. Kjo mund të destabilizojë gjendjen jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin dhe shtoi se kyç i stabilitetit është vetëadministrimi vendor dhe rindërtimi i shtëpive dhe kishave serbe, konkludoi Ministri i Jashtëm Drashkoviç.


XS
SM
MD
LG