Ndërlidhjet

UNMIK: ÇËSHTJA E TË ZHDUKURVE NDËRLIDHET ME STABILITETIN E RAJONIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i administratës së UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, ka kërkuar përshpejtimin e angazhimeve për zbardhjen e fatit të mbi 3 mijë personave të zhdukur të luftës në Kosovë. Përmes një deklarate me shkrim, Petersen ka theksuar se familjet e të zhdukurve kanë të drejtë të dinë për fatin e të dashurve të tyre, duke nënvizuar se kjo çështje ndërlidhet dhe me vetë stabilitetin e rajonit. Në mesin e katër masave që Petersen ka kërkuar të ndërmerren, theksohen ato për kthimin më të shpejtë të trupave të pajetë nga Serbia në Kosovë, pastaj kërkohet shkëmbim i informacioneve nga të gjitha organizatat që dinë diçka lidhur me këta persona dhe një aksion më konkret nga faktorët relevantë ndërkombëtarë që mund të ndikojnë në përshpejtimin e zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me ndriçimin e fatit të personave të pagjetur.
Ndërkohë, tre partitë më të mëdha në Kosovë, vlerësojnë se autoritetet ndërkombëtare nuk kanë bërë presione të mjaftueshme mbi Beogradin për ndriçimin e fatit të këtyre personave.
Në prononcimet e tyre, LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja, ndonëse janë subjekte pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar, vlerësojnë gjithashtu se edhe institucionet e Kosovës nuk kanë bërë sa duhet në këtë drejtim. Zëdhënësi i LDK-së, Lulëzim Zeneli, thotë se ndriçimi i fatit të personave të pagjetur, është politizuar pa nevojë dhe po zvarritet vazhdimisht:
“Kemi një zvarritje të këtij segmenti deri në atë shkallë sa ka kaluar edhe në një politizim të tejskajshëm nga faktori Beograd, për vetë faktin se ende është duke luajtur lojra të tilla dhe po implikohet në rrafshet e tjera politike. Si institucione të Kosovës duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha shkallët e mundshme të presionit dhe të arrihet në ndriçimin e këtyre rasteve. Ne besojmë se edhe në të ardhmen do të vazhdohet me një dinamikë të tillë, por duke ushtruar presione të ndryshme dhe duke influencuar edhe përmes faktorit ndërkombëtar, deri në zbardhjen e rastit të fundit”, tha Zeneli.
Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës nuk mund të obligojnë me asgjë Serbinë që ajo të detyrohet të shpejtojë me çështjet që do të ndihmonin zbardhjen e fatit të këtyre personave. Ai mendon se ky problem, do të mund të zgjidhej vetëm nëse aty do të përfshiheshin dhe presionet ndërkombëtare jashtë Kosovës:
“Meqenëse dihet statusi i UNMIK-ut, meqë dihen kompetencat, të cilat janë të e kufizuara dhe tek e fundit nuk janë obligative për Serbinë, UNMIK-ut nuk i ka mbetur tjetër përveçse në bazë të kompetencave të përfaqësimit me jashtë të shtrojë kërkesa në Beograd. Unë mendoj se Beogradit presionin e madh duhet t’ia bëjë qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Nëse ata bëjnë presionin e duhur mendoj që ky problem zgjidhet shumë shpejt,” tha Haliti.
Për zëdhënësin e AAK-së, Ernest Luma, edhe liderët vendorë, në masë të madhe e kanë anashkaluar problemin e të zhdukurve. Njëkohësisht, edhe faktori ndërkombëtar, sipas tij, nuk e ka vënë këtë çështje si prioritet, por më tepër i ka shërbyer sa i përket krijimit të imazheve se UNMIK-u po bisedon me Beogradin:
“Pikërisht faktori ndërkombëtar dhe ata që kanë insistuar vazhdimisht në vendosjen e kontakteve me Beogradin e kanë anashkaluar këtë çështje, duke u habitur në njëfarë mënyre apo duke u ekzautuar, vetëm përballë një çështje tjetër, krijimit të pamjeve apo imazheve Prishtinë – Beograd. Mirëpo, konkretisht nuk ka ndonjë të arritur”, vlerësoi Luma.
UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, kanë krijuar disa mekanizma të përbashkëta në lidhje me çështjen e personave të zhdukur, por deri tani, vetë akterët e këtyre mekanizmave, deklarojnë se nuk janë arritur rezultatet e duhura dhe të pritura.


XS
SM
MD
LG