Ndërlidhjet

HYSA: SERBËT NË MOMENTIN E FUNDIT DO TË MARRIN PJESË NË ZGJEDHJE


Ylber Hysa, Iniciativa qytetare “Ora”

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, aktualisht çështja më e diskutueshme dhe më problematike në Ksoovë është pjesëmarrja apo jo e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 23 tetorit. Si i parashihni ju zhvillimet dhe çfarë mund të pritet nga ato?

YLBER HYSA
Kjo nuk është asgjë e re nëse kihet parasysh se serbët dhe përfaqësuesit e tyre politikë kanë shfrytëzuar zgjedhjet për të bërë negociata të ndryshme, për të kërkuar favore duke shfrytëzuar edhe një imazh që e kanë për gjendje të keqe pas luftës. Konsideroj se edhe këtë herë, përkundër deklaratave që vijnë nga Beogradi apo nga përfaqësuesit politikë serbë, se ata nuk kanë se çfarë të kërkojnë në zgjedhje, në momentin e fundit serbët do të vendosin të dalin në zgjedhje, pasi nuk mund të përballen me një kritikë të ashpër që do t’u drejtohej liderëve politikë në Beograd, të cilët nuk janë në gjendje që të rrezikojnë imazhin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të priten koncesione nga UNMIK-u dhe bashkësia ndërkombëtare, kur dihet se Grupi i Kontaktit takohet më 31 gusht në Berlin, ku do të diskutojë për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, por edhe për decentralizimin?

YLBER HYSA
Unë konsideroj se megjithatë mund të jepet ndonjë sinjal inkurajues për serbët, që ata të gjejnë arsye për të marrë pjesë në zgjedhje. Por tashmë është e qartë për të gjithë se gjithëpërfshirja në zgjedhje është në interesin e të gjithëve. Në këtë aspekt nuk konsideroj se kryeqytetet do të ishin të gatshme të bënin ndonjë koncesion afatgjatë, i cili do t’u hakmerrej edhe kosovarëve edhe atyre që janë përgjegjës në formën e angazhimit ndërkombëtar në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, udhëheqësit e Kosovës, kryetari Rugova dhe kryeministri Rexhepi kanë thënë se ekziston një vijë e kuqe, nën të cilën nuk mund të shkohet me koncesione. Cila do të mund të ishte ajo vijë e kuqe dhe a kanë ofruar mjaft institucionet e Kosovës për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhje?

YLBER HYSA
Unë nuk e di se ku është ajo vijë e kuqe për përfaqësuesit politikë të Kosovës, pasi ata shpeshherë të shtrënguar nga bashkësia ndërkombëtare gjithnjë kanë thënë “po” dhe unë nuk e di se cila është ajo vijë. Ndoshta presidenti dhe përfaqësuesit politik kosovarë të cilët deri më tani kanë pranuar shumëçka e dinë. Unë vërtet nuk e di se ku është ajo vijë e kuqe.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, po çfarë mund të presin qytetarët e Kosovës nga zgjedhjet parlamentare të 23 tetorit dhe çfarë duhet të presin?

YLBER HYSA
Unë konsideroj se duhet të presin diçka krejt tjetër nga ajo që kanë parë deri tani në kuptim të ofertës politike. Mund të them lirisht se ka munguar një vizion i qartë nga elita politike kosovare dhe qytetarit kosovar nuk i është ofruar asgjë në këto tre zgjedhje, përveç simbolikës dhe institucioneve të para, që si të tilla janë kuptuar të rëndësishme, por jo edhe ndonjë lloj pune apo rezultate që do të jepnin shpresë. Ne jemi sot dëshmitarë të gjendjes katastrofike ekonomike, me një popullatë të re, e cila deri në masën 70 për qind është e papunë, në një situatë ku nuk ka kontroll as mbi buxhetin dhe ku qytetarëve u thuhet se buxhetit i vitit të ardhshëm do të jetë edhe më i ulët se ky sivjet, si dhe shumë çështje të tjera që nuk mund të kuptohen si ofertë serioze. Prandaj, 23 tetori mund të kuptohet jo vetëm për faktin se hyhet në vitin 2005, një udhëkryq që mund të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, për përcaktimin e statusit, por duhen bërë përpjekje serioze për të ndërtuar një shoqëri që kosovarëve duhet t’u ofrojë punë, mirëqënie dhe do t’u krijojë perspektivë për të ardhmen. Nëse 23 tetori kuptohet kështu, atëherë vetvetiu qytetarët do të kenë rast të vendosin më mirë për veten e tyre

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni ndër udhëheqësit e iniciativës qytetare “Ora”. Cila do të jetë oferta e kësaj iniciative për qytetarët e Kosovës për zgjedhjet e 23 tetorit, në pika të shkurtra?

YLBER HYSA
Mund t’ju them se oferta është e qartë dhe krejt ndryshe nga ajo që kemi parë deri tani. Tek e fundit, “Ora” ka lindur nga një lloj frustrimi dhe dëshpërimi nga ajo që ka ndodhur në Kosovë me një mungesë udhëheqjeje. Prandaj, çështja jonë shtrihet në dhjetë pika prioritare që janë përfshirë në programin e “Orës“, ku vend të posaçëm zë sundimi i ligjit, papunësia, zhvillimi ekonomik, politikat e ndryshme, si ato bujqësore, të arsimit, të shëndetësisë dhe këto njëherësh janë paraparë si vetë shtyllat që synojnë të ndërtojnë shtetin e Kosovës. “Ora” është lëvizje për shtetin e Kosovës realisht. Kjo dëshiron të ofrojë një qasje, sipas të cilës ofrohet ndërtimi i një shoqërie dhe shteti funksional dhe konsiderojmë që për këto oferta që do të zbërthehen gjatë fushatës elektorale, në mënyrë shumë të qartë do të themi jo vetëm çfarë, por edhe si.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirë, zoti Hysa, por çfarë duhet të presin qytetarët nga “Ora” dhe çfarë pret “Ora” nga zgjedhjet?

YLBER HYSA
Qytetarët nga “Ora” duhet të presin një alternativë krejt tjetër. Duhet të kuptojnë që ka ardhur ora për ta, pasi kjo lëvizje është iniciativë për vetë qytetarët e Kosovës dhe është një lloj ndërprerjeje dhe diskontinuiteti me këtë formë të aktivizmit politik, i cili nuk i ka përfillur interesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të ngopur dhe të lodhur nga gjithë ajo që kanë përjetuar. Ndërsa, “Ora” nga zgjedhjet pret një shans përmes të cilit mund të ndërtohet një kontratë pikërisht mbi bazat dhe interesat e qytetarëve dhe të “Orës”. Ata në mënyrë të qartë do ta ndërtonin një koncept, sipas të cilit do të ndërtonin një shtet funksional dhe më 2005 do të ishin partner i vërtetë para bashkësisë ndërkombëtare duke i mbrojtur më së miri interesat e Kosovës edhe në të ardhmen.


Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG