Ndërlidhjet

LINDHOLM: ZGJEDHJET NUK DO TË SHTYHEN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

OSBE-ja aktualisht nuk mund të marrë në konsideratë kurrfarë shtyrjeje të ditës së zgjedhjeve dhe as zgjedhje shtesë për ndonjë bashkësi etnike, ka deklaruar sot për Evropën e Lirë, zëdhënësi i Misionit të OSBE-së, në Kosovë, Sven Lindholm. Ai i ka bërë këto komente duke iu përgjigjur disa propozimeve të djeshme nga Beogradi se është mirë që pas tejkalimit të mospajtimeve lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, të sigurohen zgjedhje shtesë për serbët e Kosovës.
Zëdhënësi Lindholm tha se një gjë e tillë aktualisht konsiderohet e papranueshme në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian që merret me organizimin e zgjedhjeve në Kosovë:
"Me qëllim që të sigurohemi për zgjedhje të lira dhe korrekte, ato duhet të mbahen në të njëjtën ditë për të garantuar që secili mund të votojë në të njëjtën ditë," tha zëdhënësi Sven Lindholm, ndërkohë që zyrtarët e UNMIK-ut thanë sot se nuk kanë ndonjë përgjigje lidhur me këto propozime, përveçse në zgjedhje të gjithë duhet të votojnë të njëjtën ditë.
Propozimet e tilla nga Beogradi kanë ardhur në kohën kur atje po qëndronte shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, i cili merr pjesë edhe në mbledhjen e Grupit të Kontaktit, nga ku sërish do të shkojë në Beograd për t'ua kumtuar vendimet dhe rekomandimet e Grupit të Kontatit lidhur me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 23 tetorit për parlamentin e Kosovës.
Zëdhënësi i OSBE-së, ndërkohë ka mohuar edhe mundëitë e ekzistimit të ndonjë plani për shtyrjen e përgjithshme të zgjedhjeve:
"Aktualisht nuk ka ndonjë plan për shtyrjen e zgjedhjeve dhe ato do të mbahen në ditën e përcaktuar nga kryeadministratori i Kosovës, pra më 23 tetor," tha Lindholm.
Mirëpo, ndërkohë që kanë vazhduar përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhje, zëdhënësi i OSBE-së tha se fletëvotimet tashmë po përgatiten dhe ato duhet të jenë gati me kohë, në mënyrë që të mund të votojnë personat që do të votojnë me postë:
"Këto fletëvotimet duhet të dërgohen gjashtë javë para ditës së zgjedhjeve," tha Lindholm, ndërkohë që sipas një llogarie ka mbetur pak më shumë se një javë deri në skadimin e këtij afati.
Sidoqoftë, zoti Lindholm tha se afati i fundit për personat që duhet të votojnë është pikërisht dita e zgjedhjeve, por partitë politike që duan të garojnë për vota nuk mund ta presin atë datë për shkaqe teknike:
"Afatet përfundimtare teknike për entitetet politike tashmë kanë kaluar," tha zëdhënësi Lindholm, ndërkohë që zyrtarët e lartë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë janë zotuar se do të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, në mënyrë që ato të jenë sa më gjithëpërfshirëse.




XS
SM
MD
LG