Ndërlidhjet

FILLOI FUSHATA ANTIKORRUPSION


Zijadin Gashi, Prishtinë

Luftimi i korrupsionit në Kosovë është ende në fazën e ndërgjegjësimit të qytetarëve për këtë fenomen, ndërsa hapat konkrete për luftimin e kësaj dukurie paralajmërohen për faza të tjera. Në këtë aspekt qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara UNDP dhe shoqërinë civile, kanë shpallur sot fushatën antikorrupsion në Kosovë. Sipas shefit të zyrës për qeverisje të mirë në kuadër të kryeministrisë, Habit Hajredinit, luftimi i korrupsionit në Kosovë nuk është i pashpresë dhe në këtë aspekt ai pret edhe ndihmën e qytetarëve:
"Ky perceptim i qytetarëve do të na ndihmojë në hartimin e planit kombëtar për parandalimin e korrupsionit. Për këtë arsye ne e shohim këtë fushatë si të mirë dhe si hap të parë në parandalimin e korrupsionit, për faktin se do të jetë një fushatë e cila do të jetë vazhdimisht në funksion, në punë, gjithmonë duke u përkrahur dhe duke u ndihmuar nga shoqëria civile në këtë aspekt". Hajredini mendon se në Kosovë duhet të organizohet një front i përbashkët i të gjithë mekanizmave, si atyre qeveritare ashtu edhe i shoqërisë civile, për luftimin e suksesshëm të korrupsionit, si një dukuri që vlerësohet të jetë tejet e theksuar në Kosovë.
" Ne suksesin e shohim në bashkëpunimin e të gjithë akterëve që janë këtu në Kosovë, duke u bërë thirrje së pari qytetarëve, sepse nuk është qeveria apo një institucion që mund të luftojë korrupsionin. Për këtë arsye ne kemi bërë thirrje që t'i bashkohen kësaj fushate, së cilës edhe shoqëria civile iu bashkangjit fuqishëm. Fillimisht është ngritur një koalicion i gjerë në Kosovë që do të punojë për fushatën, për ngritjen e ndërgjegjësimit të njerëzve, për promovimin e strategjisë, që do të ndihmojë shumë në hartimin e planit të veprimeve për zbatimin e saj."
Qeveria ka hartuar tashmë dhe strategjinë antikorrupsion, por ajo ende nuk ka hyrë në fuqi. Sipas Habit Hajredinit, zbatimi i kësaj strategjie do të krijonte mekanizma të përshtatshëm që do të luftonin korrupsionin dhe vetëm atëhere do të mund të priteshin rezultate konkrete në këtë fushë.
" Kryeministri parasheh që të ketë një agjenci kundër korrupsionit në Kosovë dhe ajo agjenci do të jetë një lloj zyre që qytetarët mund dhe do të dinë se ku të drejtohen për keqpërdorime dhe gjëra të tjera që mund të ndodhin nga korrupsioni", tha zoti Hajredini.
Në një prezantim të përbashkët të publikuar sot nga UNDP-ja dhe zyra për qeverisje të mirë, thuhet se reformat afatgjatë janë çështje kryesore për luftimin e korrupsionit në Kosovë. Ndërsa nga udhëheqësit vendorë dhe ata ndërkombëtarë, kërkohet që të heqin dorë nga retorikat dhe deklaratat boshe dhe të kalojnë në masa konkrete për luftimin e korrupsionit. Suksesi i luftimit të korrupsionit në Kosovë, sipas këtij publikimi të përbashkët, qëndron pikërisht tek gadishmëria e udhëheqësve politikë që t'u qasen drejt reformave dhe të rritin transparencën tek institucionet në mënyrë që të fitohet dhe besimi dhe përkrahja e qytetarëve në këtë betejë.




XS
SM
MD
LG