Ndërlidhjet

PRESIDENTI MOISIU DHE KRYEMINISTRI NANO KËRKOJNË ANGAZHIM MË TË MADH TË AMBASADORËVE PËR ÇËSHTJEN E KOSOVËS


Alma Çupi, Tiranë

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, kërkoi sot që diplomacia shqiptare të jetë më sensibël dhe më aktive në informimin dhe ndërgjegjësimin e kryeqyteteve respektive dhe strukturave ndërkombëtare, për zhvillimet në rajon dhe veçanërisht në Kosovë.
Duke iu referuar zhvillimeve në Kosovë presidenti dha këtë shembull:
"Që nga çlirimi i Kosovës diplomacia serbe ka shfrytëzuar
incidente dhe zhvillime edhe të dyshimta në terren, për të influencuar disa mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mjafton egzistenca e strukturave paralele serbe, vrasjet e shqiptarëve të interpretuara ndryshe, apo ndërhyrja e Beogradit për destabilizimin në Kosovë, që diplomacia shqiptare të sensibilizohet dhe të jetë në gjendje të prezantojë realitetin dhe zhvillimet e atjeshme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara."
Presidenti Moisiu tërhoqi vëmendjen edhe për faktin se ambasadorët shqiptarë në vendet respektive nuk i kanë kushtuar vëmendje sa duhet samiteve rajonale.
Një nga vërejtjet e tjera të bëra nga ana e presidentit Moisiu, për diplomacinë shqiptare ishte mos angazhimi sa duhet në organizimin e komunitetit shqiptar në emigracion. Ndihmesa e ambasadorëve në këtë drejtim sipas presidentit Moisiu lë për të dëshiruar dhe për këtë ai solli edhe një rast konkret.
"Po sigurisht nuk mund të tolerojmë raste si ato kur byrokracia shtetërore nuk mundëson as dhënien e 37 abetareve për hapjen e një klase që qytetarët tanë kanë marrë përsipër të organizonin mësimin e gjuhës shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës."
Edhe kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano ka qenë mjaft kritik përsa i përket politikës rajonale të ndjekur nga diplomatët shqiptarë.
Në fjalimin e tij kryeministri Nano tha se "do të ketë një ri-dimensionim të qëndrimit diplomatik të Shqipërisë në lidhje me Kosovën." Më tutje ai i akuzoi ambasadorët shqiptarë si persona, të cilët jo vetëm nuk përmirësojnë imazhin e Shqipërisë, por bëjnë të kundërtën.
"Zunë veshët apo panë sytë ndonjë maqedonas të shajë Maqedoninë, ndonjë bullgar që të shajë Bullgarinë, ndonjë turk që të shajë Turqinë, siç shajnë shqiptarët Shqipërinë? Unë besoj se ka ardhur koha për më shumë dinjitet. Askush më mirë se ju, edhe sikur të punojë në institucione më të larta në hierarkinë shtetërore sesa Ministria e Jashtme, nuk mund ta menaxhojë dhe nuk mund të përgjigjet për përfaqësimin diplomatik të vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare,"
Presidenti Moisiu, në fjalën që mbajti sot para diplomatëve shqiptarë, këmbënguli edhe për krijimin e një ministrie për shqiptarët kudo në botë.

XS
SM
MD
LG