Ndërlidhjet

logo-print

PARASHIHEN VËSHTIRËSI TË FURNIZIMIT ME ENERGJI ELEKTRIKE NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Leja që qeveria e Kosovës i ka dhënë Korporatës energjetike të Kosovës që t'i rialokojë mbi 8 milion euro për importimin e energjisë elektrike, sipas zyrtarëve të KEK-ut ka evituar krizën energjetike, që qe paralajmëruar se mund të ndodhë në dy javët e ardhshme. Sonte në mesnatë blloku i parë i termocentralit Kosova B, do të dalë nga sistemi për shkak të një riparimi dhe e vetmja mundësi për furnizim mbetet importimi i energjisë elektrike. Zyrtarë të KEK-ut kanë prezantuar sot në mbledhjen e qeverisë masa të jashtëzakonshme që duhen ndërmarrë gjatë stinës së dimrit, me qëllim që të evitohet kriza energjitike.
"Pas diskutimit në kabinetin qeveritar, qeveria në parim nuk ka mundësi buxhetore që të alokojë mjetet shtesë për KEK-un. Megjithatë qeveria pajtohet me rialokimin e mjeteve të ndara deri tani në vlerë prej 8.6 milion euro, pa dëmtuar projektet për investimet kapitale të planifikuara për vitin 2004", tha zëdhënësja e qeverisë së Kosovës Mimoza Kusari, duke shtuar se kërkesat e tjera për financim duhet të prezantohen në detaje.
Palok Berisha nga zyra për marrëdhënie me publikun në KEK, thotë se shuma mbi 8 milion euro do të jetë e mjaftueshme vetëm për dy javët e para të shtatorit.
"Për aq janë të alokuara për muajin shtator dhe janë të mjaftueshme për mbajtjen e nivelit të tanishëm të furnizimit me energji elektrike". Ndërkohë udhëheqësja e zyrës për energji, në kuadër të zyrës së kryeministrit Pranvera Dobruna Kryeziu, thotë se është absurde që me paratë e buxhetit të blihet rryma elektrike, pasi importi i 15 ditëve kushton sa ndërtimi i një termocentrali të ri.
"Mendimi im është që mjetet e zotuara për investime kapitale nuk guxojnë të shpenzohen për mbulimin e shpenzimeve për importin e energjisë elektrike, ose për sigurimin e mjeteve për operim edhe mirëmbajtje. Ato duhet të bëhen nga inkasimi."
Ditë më parë zyrtarë të bordit ndërkombëtar për furnizim dhe energji, të cilët nga 17 korriku kanë fituar tenderin për të drejtuar Korporatën Energjetike të Kosovës, kanë bërë të ditur se KEK-u është në situatë të rëndë. Drejtori i këtij bordi Xhon Eshlli i ka paraqitur katër objektiva se si të tejkalohet kriza në këtë korporatë.
"E para dhe më e rëndësishmja është përmirësimi i fakturimit të energjisë elektrike dhe inkasimi i mjeteve për atë energji. Objektiva e dytë është rritja e të ardhurave të KEK-ut, e treta është sigurimi i një furnizimi të besueshëm të energjisë elektrike dhe e katërta është ndërtimi i kapacitetit të kuadrove në KEK", ka thënë Eshlli.
Ndërkohë Pranvera Dobruna Kryeziu thotë se nëse vazhdohet ritmi i njëjtë i inkasimit të energjisë së shfrytëzuar, Kosova gjatë dimrit do të përballet sërisht me kriza energjetike.
Zonja Kryeziu zgjidhjen e problemit të vazhdueshëm të mungesës së energjisë elektrike, e sheh vetëm pas ndërtimit të kapaciteteve të tjera prodhuese.
"Unë e shoh Kosovën që mundet t'i zgjidhë problemet energjetike në një afat prej pesë deri gjashtë vjet, me kapacitetet e reja prodhuese. Mirëpo unë e shoh Kosovën pa probleme energjetike kur popullata të fillojë të paguajë."
Shefi i shtyllës së katër të UNMIK-ut Nikolas Lambsdorf kohë më parë ka shpallur planin për ndërtimin e një termocentrali të ri në Kosovë. Zonja Kryeziu thotë se shpallja e tendereve mund të bëhet në pranverën e vitit të ardhshëm, pasi të jenë kryer studimet për ndërtimin e kapaciteteteve të tjera prodhuese.

XS
SM
MD
LG