Ndërlidhjet

SHTYPI PERËNDIMOR PËR GJYKIMIN E MILLOSHEVIQIT


"Të gjithë janë fajtorë përveç meje" titullohet artikulli në të përditshmen britanike Gardian kushtuar paraqitjes së parë të mbrojtjes nga ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq në Tribunalin e Hagës për Krime të Luftës.
Si kreu i parë i një shteti evropian, që akuzohet për gjenocid, Millosheviqi e filloi mbrojtjen duke i fajësuar të gjithë përveç serbëve dhe vetveten për gjakderdhjen gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Gjatë 4 orëve, ai kaloi nëpër 100 vitet e historisë serbe, duke ripërsëritur se gjermanët dhe Vatikani e kishin rolin kryesor në komplotet për shkatërrimin e serbëve, shkruan Guardian.
"Serbët, udhëheqësia e serbëve dhe unë personalisht i bëmë të gjitha përpjekjet për ta ruajtur bashkësinë jugosllave. Ne ishim në anën e ligjit", tha i akuzuari kryesor për luftërat në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.
Bill Clinton, Madelein Albright, Tony Blair, Helmut Kohl, mullatë e Iranit, Hezbollahu i Libanit, Arabia saudite, fashistët, neo-nazistët, Vatikani dhe Bashkimi Evropian, të gjithë u akuzuan për veprime të ndërlidhura me, siç tha ai, "terroristët shqiptarë", me "fundamentalistët islamikë të Bosnjes", dhe me "ustashët fashistë", me qëllim të shkatërrimit të Jugosllavisë.
Ai madje tha se në vitin 1999, NATO-ja përdori bomba me uranium të pasuruar që "Serbia të mos mund të ketë ferma të shëndosha".
"Gjithçka tha ishte drejtuar për opinionin në Serbi", e transmeton Guardian komentatorin serb Nenad Stefanoviç.
New York Times shkruan se Millosheviqi në asnjë çast nuk foli për akuzat specifike të ngritura ndaj tij nga prokurorët e Kombeve të Bashkuara, por vetëm mbajti ligjëratë të historisë. Ai nuk tha asgjë për 200 mijë të vrarët dhe miliona refugjatët, por nuk e la pa e përmendur temën e sotme aktuale të terrorizmit, të cilën siç tha, "e kanë praktikuar kryengritësit në Bosnje dhe Kosovë". Ai tha se në fillim të viteve të 90-ta, luftëtarët islamikë nga Afganistani që vërshuan në Bosnje, "ishin armatosur dhe pajisur nga CIA", shkruan New York Times.
Juristi dhe politikani populist përdori çdo mundësi për ta vënë veten në pozitën e viktimës së shqetësuar e të pafajshme, shkruan Independent.
Si njeri, i cili akuzohet për një numër mizorish dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, përpjekja e Millosheviqit për të aktruar dhe zvarritur është e pacipë dhe fyese. Por nëse evropianët duan ta çojnë mesazhin e tyre, atëherë patjetër duhet t'i kapin edhe dy të akuzuarit tjerë, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, pohon gazeta britanike Independent.
Me gjithë dramën e madhe që ka ndodhur, Millosheviqi nuk i adresoi detajet e akuzave kundër tij, shkruan Times. Ishte një pjesë teatrale, një debutim bravuoz, por si taktikë legale nuk ishte shumë impresive. Fjalimi i tij i ashpër nuk dallohej nga fjalimet e mëparshme në ditët e para të gjykimit. Edhe atëherë, mu si tani, ai i rikthehej historisë. Por dje u kthye edhe në shekullin e 19-të, kur Serbia lindi nga gërmadhat e Perandorisë Osmane në territorin evropian. Times shkruan se Millosheviqi lexonte pjesë nga librat e historisë dhe paraqeste argumente nga autorët serbë për ta arsyetuar pohimin se Serbia në mënyrë të padrejtë ishte prezentuar si vend ekspanzionist, dhe se ishte viktimë e propagandës.
XS
SM
MD
LG