Ndërlidhjet

GJENERALI FRANCEZ KERMABON MERR KOMANDËN E KFOR-it


Zijadin Gashi, Prishtinë

Gjenerali francez, Yves de Kermabon, ka marrë sot komandën e misionit të NATO-s në Kosovë, që vepron në kuadër të forcës shumëkombëshe të KFOR-it. Ndërrimi i komandës nga ish- komandanti i deritanishëm gjenerali gjerman, Holger Kammerhof tek Yves de Kermabon është bërë në prani të komandantit të NATO-s për Evropën, gjeneralit James Jones, komandantit të Forcës së Përbashkët admiralit Gregory Johnson, shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen dhe personaliteteve më të rëndësishme politike të Kosovës.
“Dua t’i siguroj të gjithë se unë jam këtu për të përmbushur misionin”, tha Kermabon, për të shtuar se KFOR-i nuk është i vetëm në këtë qëllim, duke e ditur dhe rolin dhe përgjegjësinë e UNMIK-ut që ka marrë nga bashkësia ndërkombëtare.
"Më besoni," tha gjenerali francez, "se nuk do të ketë gjasa për ata që i kundërshtojnë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kosovarëve për të ndërtuar një Kosovë paqësore. S'ka dyshim," tha komandanti i ri i KFOR-it, "se ekstremistët, terroristët dhe kriminelët janë në anën e gabueshme të tregimit."
Zgjedhjet e ardhshme janë sfida e parë për komandantin e ri të KFOR-it, i cili me këtë rast, i premtoi mbështetje të plotë shefit të UNMIK-ut, për të garantuar paqe dhe siguri në Kosovë:
“Siç dihet prioriteti numër një i shefit të ri të UNMIK-ut, Petersen është siguria, prandaj unë jam i gatshëm që ta përkrah dhe punoj me UNMIK-un në garantimin e sigurisë”, tha gjenerali Kermabon, i cili tha po ashtu se moto të punës së tij njëvjeçare në krye të KFOR-it do të ketë rivendosjen e besimit në Kosovë.
Ndërkohë, komandanti i NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan, James Jones, tha se komandanti i ri i KFOR-it është personi më i qëlluar për këtë mision, duke pasur parasysh përvojën e tij ushtarake dhe njohuritë që ka për rajonin.
Gjenerali Jones tha se “KFOR-i është një forcë garantuese e paqes dhe e optimizmit për të ardhmen e Kosovës”, duke besuar se UNMIK-u dhe liderët politikë vendorë do të jenë ata që do t’i vazhdojnë angazhimet e tyre për një të ardhme më të mirë të Kosovës, për çka u ofroi mbështetjen e plotë të KFOR-it si forcë ushtarake.
Ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, admirali Gregory Johnson e quajti një rast të mirë për ta uruar ish-komandantin Holger Kammerhof për punën e tij gjatë nëntë muajve në krye të forcës shumëkombëshe, duke u përkujdesur, siç tha ai, për 2 milion klientët në Kosovë. Admirali amerikan tha se KFOR-i do të jetë vazhdimisht i gatshëm për çdo të papritur edhe pse shprehu bindjen e tij, se populli i Kosovës do të dalë në zgjedhje dhe do të ndjekë rrugën demokratike për të ndërtuar të ardhmen e vet.
Në anën tjetër, komandanti i deritanishëm, Kammerhof tha se në Kosovë ka një përmirësim të dukshëm të situatës së sigurisë, duke përjashtuar këtu vetëm ngjarjet e marsit.
“Që kur e kam marrë komandën, në tetorin e vitit të kaluar mund të them se situata e sigurisë është përmirësuar. Kam pasur kënaqësinë time të shërbej në Kosovë, përveç atyre tre ditëve të marsit”, tha Kammerhof. Ai u nderua dhe nga Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova me Medaljen e Artë të Presidentit për merita ushtarake.
Forca shumëkombëshe e KFOR-it në Kosovë numëron rreth 18 mijë ushtarë nga 37 vende të botës.

XS
SM
MD
LG