Ndërlidhjet

logo-print

REAGIME TË NDRYSHME LIDHUR ME REZULTATET E ANKETËS PËR KORRUPSION


Albana Isufi, Prishtinë

Zyrtarë të KEK-ut, Doganave dhe të Presidencës së Kosovës, tre institucione që sipas një studimi të perceptimit të qytetarëve të zhvilluar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe qeveria e Kosovës, janë ndër pesë institucionet më të korruptuara, kanë hedhur poshtë këto rezultate si të pabaza.
Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Muhamet Hamiti, thotë se deri tani nuk ka fakte se presidenca është e përfshirë në korrupsion.
“Raportimi në media për këtë hulumtim të opinionit ka qenë thellësisht joprofesional, pjesa më e madhe e mediave, sidomos elektronike, mbrëmë jepnin të dhënat për perceptimin e qytetarëve, për praninë ose mospraninë e korrupsionit në listën e zgjedhur të institucioneve, si fakt, si të dhënë. Me të dhënat merren organet përgjegjëse. Për presidencën nuk e di të jetë prezantuar deri më sot një fakt i vetëm për korrupsion”, tha Hamiti.
Ndërkaq, Palok Berisha nga Zyra për marrëdhënie me publikun në Korporatën Energjetike të Kosovës, institucion ky i cili sipas anketës udhëheq për nivelin e korrupsionit, thotë se anketa është e paqëndrueshme dhe sipas tij qëllimi i saj është zbehja e luftës kundër korrupsionit.
“Gjërat nuk qëndrojnë kështu në KEK, si është folur në mënyrë të përgjithshme dhe paushalle. KEK-u ka rreth 9 mijë punëtorë dhe me ketë “ia qet të gjithë punëtorëve faqen e zezë dhe kjo nuk është e saktë”, thotë Berisha.
I pakuptimtë është quajtur perceptimi i qytetarëve mbi korrupsionin në dogana, nga zëdhënësi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, e cila menaxhon ndërmarrjet publike.
Kris Litier thotë se ai që ka dëshmi mbi korrupsionin do të duhej t’i publikonte ato.
“Doganat kontrollohen rregullisht, kanë standarde profesionale, kanë kamera të sofistikuara, procedura të rregullta të brendshme, të gjitha gjërat që bëhen në dogana- nuk lënë hapësirë për korrupsion. Por, mund të thuhet se politika 0 tolerancë kundër korrupsionit nuk është e mundur në asnjë shërbim publik, por duhet që ajo të zvogëlohet në minimum dhe doganat po e bëjnë këtë me sukses”, thotë Kris Litier.
Ndryshe, nga këto tre institucione, zyrtarët e spitaleve dhe të qeverisë së Kosovës i pranojnë rezultatet për korrupsionin.
Sekretari i përhershëm i Minsitrisë së Shëndetësisë Pleurat Sejdiu, thotë se vetë kjo ministri ka alarmuar për nivelin e korrupsionit në qendrat spitalore.
“Ne kemi dhënë kontributin tonë që ky rezultat të dalë sa më transparent dhe real që është e mundur. Shpresoj që pas kësaj analize, që kemi kontribuar edhe ne dhe pas analizës që kemi bërë në Ministrinë e Shëndetësisë, pas strategjisë që është aprovuar nga qeveria e Kosovës, vitin e ardhshëm spitalet do të jenë në fund të listës apo nuk do të jenë fare”, tha Sejdiu.
Zëdhënësja e qeverisë së Kosovës Mimoza Kusari thotë se rezultate e anketës janë një indikacion për qeverinë që të fokusohet më tepër në luftën kundër korrupsionit.
“Është e vërtetë se në këtë anketë rezultatet kanë treguar se nga perceptimi i qytetarëve, një prej institucioneve më të korruptuara është edhe qeveria e Kosovës, gjë e cila është një indikacion për institucionet e qeverisë që ta luftojnë këtë dukuri," tha Kusari.
Zyra e kryeministrisë për qeverisje të mirë ka nisur dje fushatën kundër korrupsionit, me ç’rast ka kërkuar nga shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare, që të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit.




XS
SM
MD
LG