Ndërlidhjet

SHTYHET NËNSHKRIMI I LIÇENSËS PËR OPERATORIN E DYTË TELEFONIK TË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Dy marrëveshjet e parapara që të nënshkruhen sot, ajo për liçencim të operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë mes Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit dhe përfaqësuesve të Mobikosit, si dhe marrëveshja për furnizim me pajisje mes kompanisë amerikane Motorola dhe Mobikosit janë shtyrë për 14 ditë.
Kryetari i ART-së Anton Berisha, pas takimeve që ka pasur me ministrin Morina dhe me zëvendëskryeadministratorin Charls Brayshow, tha se është pajtuar me ta që të shtyhet nënshkrimi i marrëveshjes, derisa të sqarohen aspektet ligjore të procesit të tenderimit.
“Pozicioni jonë është më së shumti 14 ditë. Ju kemi dhënë 2 muaj kohë, nuk kanë marrë asnjë vendim të qartë, por e kanë zvarritur. Ne nuk kemi institucione të tjera mbi UNMIK-un, i kemi respektuar, e respektova takimin, fjalën kur e japim duhet ta mbajmë. Thamë do ta shtyjmë e kemi shtyrë dhe 14 ditë për të sqaruar se pse kjo kompani nuk ka të drejtë të nënshkruajë.
Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit ka anuluar para dy javësh tenderin e operatorit të dytë të telefonisë mobile, në të cilin kompania kosovaro-sllovene Mobikos qe shpallur fituese. Drejtori i Mobikosit Fatmir Gashi, është i bindur se pas dy javësh kompania e tij do të liçensohet.
“Këtu ligji është ligj, nuk është as Berisha ligj, as nuk është ligj dikush tjetër. Ne e kemi sigurinë nga ligji. Nëqoftëse përfillet ligji, atëhere ne e kemi liçencën. Të gjitha procedurat ligjore janë kryer. Por në qoftëse dikush ka dyshime, atëhere mund të rishqyrtohet dhe edhe ne të shohim se çfarë ka aty.
Ndërkohë, përfaqësuesit sllovenë të Mobitelit, të zhgënjyer me shtyrjen e nënshkrimit të marrëveshjes për liçencim, sërish kanë thënë se do të ndjekin rrugë ligjore me qëllim t’i mbrojnë interesat e tyre.
“Natyrisht, nëse është krijuar një situatë e tillë në të cilën ne duhet të presim edhe dy javë të tjera ,atëherë do të presim. Shpresojmë se çdo gjë do të qartësohet gjatë kësaj periudhe dhe marrëveshja do të nënshkruhet,"tha ndihmësdrejtori i Mobitelit për marrëdhënie ndërkombëtare Sergei Goriup, duke shtuar se nëse edhe pas kësaj periudhe nuk arrihet marrëveshja opsioni i vetëm është mbrojtja e interesave të tyre përmes rrugëve ligjore.
Në ceremoninë e paraparë të nënshkrimit sot ishte edhe Constantin Aloupis përfaqësuesi i kompanisë amerikane Motorola. Kjo kompani është dashur të nënshkruajë sot marrëveshjen me Mobikosin për furnizim me pajisje.
“Motorola është kompani që fillimisht ishte ofertuese e operatorit të dytë të telefonisë mobile dhe qe diskualifikuar. Tani kemi vendosur që në vend të punojmë vetë, të punojmë së bashku me partnerët me Mobikosin dhe Mobitelin. Interesat tona për këtë rajon janë shumë të forta dhe jemi të përgatitur që të vendosim pajisje shumë të lartë teknologjike në tërë Kosovën”, Aloupis.
Ministria e Transportit dhe e Telekomunikacionit, e cila kohë më parë ka kërkuar nga ART-ja rishpalljen e tenderit për telefoninë e dytë mobile, nuk ka pranuar të prononcohet sot për media.
Ndërkohë, drejtori i ART-së Anton Berisha, ka thënë se nëse shpallet tenderi i ri, atëherë ekzistimi i ART-së më nuk ka kuptim.



XS
SM
MD
LG