Ndërlidhjet

PETERSEN, REXHEPI: BASHKËPUNIMI I TË GJITHËVE E ÇON KOSOVËN PËRPARA


Albana Isufi, Pejë

Sfida më e madhe në Kosovë është fillimi i një bashkëpunimi në mes të të gjitha komuniteteve me qëllim që të çohen përpara proceset në Kosovë. Është ky konstatimi që kryeadministratori Soren Jessen Petersen ka nxjerrë pas përfundimit të vizitave të para nëpër rajonet më të mëdha të Kosovës.
I shoqëruar nga kryeministri Bajram Rexhepi, Soren Jessen Petersen ka thënë sot në Pejë se në të gjitha vendet që ka vizituar ka parë kontraste."Ndërkohë që në Gjilan flitet me të madhe për kthimin, Peja ende kujton të kaluarën," ka thënë Jessen Petersen, duke shtuar se kjo ndikon në ngecjen e proceseve në Kosovë.
“Sfida më e vështirë deri tani është që t’i ulim të gjithë së bashku, të punojnë së bashku, ta respektojnë njëri- tjetrin duke kontribuar kështu në lëvizjen e Kosovës drejt diskutimeve për statusin final”, ka thënë Soren Jessen Petersen në fshatin e banuar me serbë Bellopojë, në fund të vizitës së tij komunës së Pejës.
Kryeministri Bajram Rexhepi ka thënë se duhet që me forca të përbashkëta të krijohet ambjenti i qetë dhe të ketë lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët.
“KFOR-i ,UNMIK-u, policia e UNMIK-ut, SHPK-ja dhe institucionet duhet që me forca të përbashkëta ta krijojnë një ambjent të qetë për të gjithë. Por, që të ketë sukses, unë kërkova edhe nga përfaqësuesit e komunitetit serb që edhe ata të na ndihmojnë, që të ndërtohet besimi, se në të kundërtën të gjitha këto masa nuk do të kenë sukses," tha Rexhepi.
Ndërkohë, edhe në këtë vizitë, si shefi i administratës ndërkombëtare ashtu edhe kryeministri, kanë kërkuar nga komuniteti serb që të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit dhe t’i japin fund bojkotimit të institucioneve kosovare.
“Ajo që pres unë është që të ndërmerren hapa të tjerë të rëndësishëm, që të sigurojmë se të gjithë ata që jetojnë këtu në Kosovë dhe që kanë të drejtë të votojnë, të marrin pjesë në zgjedhje, sepse mendoj se ky është çelësi për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Petersen.
Ndërkaq, kryeministri Bajram Rexhepi ka thënë se Beogradi zyrtar duhet të fillojë të ndërrojë qëndrimin e tij ndaj komunitetit serb në Kosovë.
“Shpresoj se ata do të fillojnë gradualisht ta ndërrojnë qëndrimin, për arsye se me qëndrimin e tyre me dekurajimin e serbëve që të mos marrin pjesë në zgjedhje, e venë në pozitë të rrezikshme së pari komunitetin serb duke e izoluar dhe në një mënyrë humbin kredibilitetin ndaj faktorit ndërkombëtar, për arsye se po i inkurajojnë serbët për diçka që nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat demokratike," tha Rexhepi.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen dhe kryeministri Bajram Rexhepi kanë zhvilluar takime me përfaqësues të komunës, të shoqërisë civile, si dhe kanë vizituar Kombinatin e Drurit, një kompani tashmë e privatizuar. Ata po ashtu vizituan shtëpitë e rindërtuara të serbëve në Bellopoje, të cilat ishin shkatërruar gjatë trazirave të marsit.

XS
SM
MD
LG