Ndërlidhjet

HASANI: PLANI SERB PËR DECENTRALIZMIN – PLAN PËR RICIKLIMIN E DHUNËS


Enver Hasani, shef i zyrës për marrëdhënie me jashtë në Qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, çështja me e përfolur dhe më aktuale momentalisht në Kosovë është pjesëmarrja apo jo e serbëve në zgjedhjet e Kosovës. Çfarë mund të pritet nga gjithë këto zhvillime dhe përpjekje lidhur me këtë çështje?

ENVER HASANI
Tani, unë mendoj se serbët janë para një dileme mjaft të vështirë, në sensin se mospjesëmarrja e tyre, vendimi i tyre definitiv për të mos marrë pjesë në zgjedhje, do të dëmtonte dhe dëmton shumë interesin e tyre në rend të parë, e kam fjalën për serbët lokalë. E dyta është se mospjesëmarrja e tyre në zgjedhje, mund ta radikalizojë procesin dhe t’u japë një letër shumë të mirë forcave ekstreme, për të thënë se ja serbët me gjithë vullnetin e mirë të palës shqiptare për plotësim të disa kërkesave, sërish janë të llastuar dhe vazhdojnë këngën e vjetër. Dhe, mendoj se këto janë dy pasojat e menjëhershme dhe domethënia e menjëhershme e mospjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, bazuar në përpjekjet e deritanishme të bashkësisë ndërkombëtare, të pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe të institucioneve të Kosovës, a mund të pritet që serbët të vendosin për pjesëmarrjen në zgjedhje?

ENVER HASANI
Tani, edhe mund të pritet, por edhe anasjelltas, mund të mos pritet. Kjo, sepse nga pjesëmarrja e tyre apo mospjesëmarrja në zgjedhje, numerikisht, numri i tyre në strukturat dhe institucionet e Kosovës nuk ka qenë dhe nuk është vendimtar për realizimin e interesave të tyre. Kështu që në këtë drejtim, ata nuk e marrin këtë një çështje shumë serioze dhe me pasoja afatgjata për ta. Ndërkohë, e tëra varet nga ajo se çfarë pasoja të dëmshme do të ketë për qeverinë e Beogradit, i tërë presioni eventual që është ushtruar dhe po ushtrohet mbi serbët e Kosovës dhe besoj se nga ky kënd duhet të shikohet nëse serbët do të marrin pjesë në zgjedhje apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, si do të ndikojë në vlefshmërinë e zgjedhjeve të Kosovës një mospjesëmarrje eventuale e serbëve?

ENVER HASANI
Sigurisht që në njëfarë mase e delegjitimon procesin politik në Kosovë. E delegjitimon sepse, sado formal që mund të jetë multietniciteti apo pluralizimi etnik, është parakusht për ecje përpara dhe pa të në sytë e bashkësisë ndërkombëtare dhe përgjithësisht në sytë e të tjerëve, nuk konsiderohet një proces tërësisht legjitim. Por, është e sigurtë se edhe bashkësia ndërkombëtare-e kam fjalën për akterët kryesorë dhe jo për bashkësinë si tërësi, sa po shoh unë, nuk janë të gatshëm për të lëshuar pe para këtyre metodave të presionit për të fituar pika politike në fronte të tjera. Unë mendoj se kjo është po ashtu mirë, sepse po të shkohet me këtë logjikë të serbëve, pra të plotësimit të lloj-lloj kërkesave përmes metodës joinstitucionale, metodës së rrugës, dihet se ku shpie ajo dhe Kosova në këtë drejtim ka një histori shumë të hidhur dhe ajo do të prishte institucionet e sistemit dhe do të kanalizonte nëndheshëm procesin politik, që do të thotë një jostransparencë totale dhe humbje e kontrollit mbi ngjarjet në kohën që po vjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te presionet dhe kushtëzimet, dihet se marrja parasysh e planit të qeverisë së Serbisë për decentralizimin, ka qenë një ndër parakushtet e Beogradit për t’ua dhënë vizën serbëve lokalë që të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës. Si e shihni ju këtë situatë?

ENVER HASANI
Mendoj se edhe qeveria e Beogradit duhet ta ketë shumë të qartë, se ka dallim mjaft të madh, radikal, ndërmjet asaj që ata e quajnë mbrojtje institucionale e serbëve dhe planit që e kanë propozuar për decentralizim. Plani që e kanë propozuar për decentralizim, nuk ka fare të bëjë me mbrojtjen institucionale të serbëve – ajo është autonomi politiko- territoriale apo territorializim i problemit etnik, gjë që është kundër të gjitha trendeve dhe frymës që është në rajon dhe ka filluar me hapa shumë të shpejtë dhe të sigurt pas marrëveshjes së Dejtonit. Kjo do të thotë riciklim i dhunës. Unë mendoj se modalitetet e mbrojtjes institucionale, çfarë kanë qenë në këto katër-pesë vjet pas luftës, mund të mos kenë më të qëlluarat dhe mund të mos kenë qenë efektive, por mendoj se në drejtim të tyre duhet të gjenden zgjidhjet adekuate për mbrojtjen e interesave të komuniteteve etnike, të serbëve në radhë të parë, por edhe të të tjerëve. Por, po e përsëris, ajo që thotë Beogradi, përveç faktorit luftë, i cili mendoj se nuk mund të përsëritet pasi mungon faktori që ka qenë kyç dhe ai është quajtur Milosheviç, për të tjerat është identike me ato që kanë qenë në fillim të luftës në territoret e ish-Jugosllavisë, Kroaci, Bosnjë e më pas edhe këndej. Do të thotë se ajo është logjikë e papranueshme, të cilën Koshtunica duhet ta ketë shumë të qartë që nuk mund të pijë ujë, sepse do të ishte iracionalizëm politik dhe plotësim i komplekseve personale nacionaliste të dikujt në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te mbrojtja institucionale, institucionet e Kosovës kanë thënë se u duhen më shumë përgjegjësi për të ushtruar funksionet e tyre, në këtë plan edhe mbrojtjen e pakicave. Si i shihni ju deklaratat e zotit Jessen Petersen për dhënien e më shumë përgjegjësive për institucionet e Kosovës?

ENVER HASANI
Ajo deklaratë mendoj se duhet përshëndetur, por nuk duhet patur iluzionin që dikush e beson këtu se marrja e më shumë kompetencave është parakusht themelor dhe kryesor që do të zgjidhte problemin e bashkësive etnike në Kosovë. Unë mendoj se ai është iluzion, sepse bartja e kompetencave qartëson vijën e përgjegjësisë se kush është përgjegjës për proceset e caktuara që zhvillohen, ose duhet të zhvillohen në Kosovë, por nuk është se vetë për vete bartja rregullon problemin politik, i cili është shumë i komplikuar dhe ka disa komponenta, ku siguria merr pjesë me një përqindje mjaft serioze. Po e përsëris bartja e kompetencave është parakusht esencial për përcaktim të vijës së qartë të përgjegjësisë ndërmjet vendorëve dhe ndërkombëtarëve dhe në atë bartje të komptencave për të qenë sa më efektiv, duhet që ndërkombëtarët ta kenë të qartë që ajo bartje të jetë shumë e kujdesshme dhe të bëhet me kompetencë, dhe duhet të bëhet një kornizë ligjore, një mbikëqyrje dhe trajnim i faktorit lokal, tek i cili bëhet bartja e përgjegjësive, i cili do të ishte trajnim sipas standardeve të pranuara ndërkombëtarisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit, në deklaratën e lëshuar pas mbledhjes së fundit që e ka mbajtur në Prishtinë, ka kërkuar që zgjedhjet dhe fushata parazgjedhore të mos e pengojnë jetësimin e standardeve. A mendoni ju se do të ndodhë një gjë e tillë, se do të pengohet përmbushja e standardeve nga fushata zgjedhore, zgjedhjet dhe ndërtimi i institucioneve?

ENVER HASANI
Sigurisht se po, pasi këtu në Kosovë qysh tani ndodhin ato që ndodhin edhe në vendet e tjera, që vdes çdo aktivitet. Duke u nisur nga kultura politike dhe institucionale që nuk ka ndonjë traditë të pasur, fushata parazgjedhore dhe paszgjedhore, deri në formimin e qeverisë është një fushatë e etheve, ku paralizohet çdo gjë në planin institucional dhe konstruktiv politik. Rrjedhimisht se do të pësojë edhe procesi i implementimit të standardeve dhe procesi i funksionimit të institucioneve dhe të jetës normale në Kosovë.

Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG