Ndërlidhjet

logo-print

GOLDBERG: EKONOMIA E KOSOVËS TË KONTROLLOHET NGA PËRFAQËSUESIT E ZGJEDHUR TË POPULLIT


Albana Isufi, Prishtinë

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen javën e ardhshme pritet të shqyrtojë me këshilltarë të lartë të UNMIK-ut bartjen e kompetencave tek institucionet vendore. Sipas zëdhënëses së UNMIK-ut Methild Henneke, në takim do të shqyrtohet bartja e të gjitha kompetencave, përfshirë edhe ato të kapitullit të tetë.
“Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm ka thënë që nga marrja e postit të tij, se do të shqyrtojë bartjen e të gjitha kompetencave, të cilat mund të barten, përveç në ato fusha të cilat prekin çështjet e sovranitetit”, tha Methild Henneke.
Ndërkohë, edhe pse sipas Kornizës Kushtetuese, ekonomia i takon plotësisht institucioneve të Kosovës, kompetencat për disa pjesë të caktuara të ekonomisë mbesin përgjegjësi e UNMIK-ut.
Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg ka thënë sot se ekonomia e Kosovës duhet të kontrollohet nga kosovarët.
“Po punojmë drejt asaj dite kur ne mund të bartim shumë më shumë kompetenca në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave, në atë mënyrë që qytetarët e Kosovës përmes përfaqësuesve të tyre dhe përmes qeverisë që ata e kanë zgjedhur, të kenë kontrollin mbi ekonominë ”, tha Goldberg, pas një takimi me Ministrin e Ekonomisë dhe të Financave Ali Sadriun.
Methild Henneke thotë se ende nuk është caktuar ndonjë afat për bartjen e kompetencave.
“Nuk ka afat, por është një çështje e rëndësishme, që do të shtyjë procesin përpara sa më shepjt që të jetë e mundur. Ne do të flasim edhe me qeverinë për të parë qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje”, tha Henneke.
Zëdhënësja e qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila thotë se qeveria e Kosovës, përveç bartjes së kompetencave, pret nga UNMIK-u edhe krijimin e ministrive të reja.
“Nga takimi i ardhshëm nga ana e qeverisë dhe zyrës së kryeministrit do të ritheksohen kërkesat e parashtruara edhe më herët. Në këtë rast më tepër kompetenca në fushën e ekonomisë dhe të drejtësisë për institucionet e Kosovës, si dhe krijimi i ministrive të reja, kërkesa këto të parashtruara më herët," tha Mimoza Kusari Lila, duke shtuar se nuk është e domosdoshme që krijimi i ministrive të reja të ndërlidhet me zgjidhjen e statusit final.
Ndërkohë, shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Filip Goldberg ka thënë se para se të diskutohet për statusin final, duhet që të bëhen përparimet e nevojshme në të gjitha fushat, veçanërisht në ekonomi dhe siguri:
“Derisa ecim drejt dhënies së më shumë kompetencave, drejt datës kur të do rishikojmë progresin e arritur në Kosovë për të vendosur për statusin e ardhshëm, duhet të ketë përparime në shumë fusha, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe në ekonomi”, tha Golberg.



XS
SM
MD
LG