Ndërlidhjet

MAMBERTO: HAPJA E ZYRËS SË KOMISIONIT EVROPIAN, PËRKUSHTIM PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë, Georgio Mamberto, i ka vazhduar sot takimet me udhëheqësit vendorë, me ç’rast është takuar me presidentin Ibrahim Rugova dhe kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci. Hapja e zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë javën e kaluar, sipas Mambertos, tregon përkushtimin dhe angazhimin e strukturave evropiane për Kosovën, duke pasur parasysh rolin në rritje të BE-së dhe mekanizmave tjerë siç është Komisioni Evropian në Kosovë.
“Prania më e madhe e Evropës këtu është evidente dhe fakti që unë jam këtu, tregon interesimin e Komisionit për Kosovën që të përcjellë nga afër zhvillimin e saj”, tha Mamberto.
Ndërkohë, presidenti Rugova u dha mbështetje zotimeve të shefit të UNMIK-ut për riorganizimin e kësaj administrate dhe mbi bazat e partneritetit, gradualisht të bartë kompetencat dhe përgjegjësitë te institucionet e Kosovës:
“Duhet që me UNMIK-un së bashku të bisedojmë për transferin e kompetencave në ekonomi, pastaj në siguri në mënyrë graduale dhe të ndërtojmë një shoqëri dhe vend demokratik”, tha Rugova.
Takimet e udhëheqësve kosovarë me Geogrio Mamberton përveç karakterit njohës me të, kanë për qëllim dhe përgatitjen e takimit të pestë me radhë të Mekanizmit Përcjellës për Kosovën, në kuadër të Stabilizim- Asociimit, që do të mbahet më datën 17 të këtij muaji në Bruksel. Në këtë takim, delegacioni i Kosovës do të ushëtojë me një përbërje të përzier vendorë e ndërkombëtar dhe do të kryesohet nga kryeadministratori Jessen Petersen dhe kryeministri Bajram Rexhepi.
Sipas presidentit Rugova, në Bruksel do të diskutohen kryesisht çështjet ekonomike dhe mundësia e ndarjes së huave afatgjata për Kosovën:
“Takimi i ardhshëm do t’i kushtohet ekonomisë, që të kemi mundësi të marrim kredi nga Bashkimi Evropian pastaj investimeve, të krijojmë stabilitet dhe të vazhdojmë me privatizimin”, theksoi Rugova.
Hapja e zyrës së Komisionit Evropian, e ka pasuar hapjen e kahershme të zyrave tjera siç janë ajo e Bashkimit Evropian dhe Agjencisë Evropiane për Rindërtim, çka sipas Rugovës dhe Mambertos, paraqet përkushtimin afatgjatë të BE-së në Kosovë.




XS
SM
MD
LG