Ndërlidhjet

F. SEJDIU: PLANI SERB PËR DECENTRALIZIMIN SYNON DESTABILIZIMIN E KOSOVËS


Fatmir Sejdiu, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, serbët e Kosovës edhe më tej kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 23 tetorit me pranimin e planit të Qeverisë së Serbisë për decentralizimin në Kosovë? Si i shihni ju zhvillimet e mëtejshme?

FATMIR SEJDIU
Po, mendoj se është një obstruksion, që vazhdon edhe në këtë fazë nga ana e serbëve të Kosovës, me qëllim që të shtrëngojnë bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës për pranimin e varianteve të tyre, që në fakt nuk janë zgjidhje për të ardhmen e Kosovës. Arsyeja themelore është se më këtë dëshirojnë, që posaçërisht të rregullojnë një status të veçantë të tyre dhe janë plane që vijnë nga një qendër, që edhe në dekadat e mëparshme, por edhe tani, ka për projekt themelor destabilizimin e plotë të Kosovës dhe rikthimin sipas kërkesave të saj, nën sovranitetin e Serbisë.
Ne kemi bërë ftesë të hershme edhe në fazën e mëvonshme që serbët të jenë pjesë integruese e proceseve në Kosovë, që të marrin pjesë në zgjedhje, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në këtë mënyrë brenda vetë Kosovës, meqë do të duhej ta ndjeni edhe ata Kosovën si atdhe të tyre e të punojnë për të ardhmen e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç thatë ju, serbët dëshirojnë që ta shtrëngojnë bashkësinë ndërkombëtare që të pranojnë pjesë të këtij plani, ndërkohë që zyrtarë të UNMIK-ut, të Grupit të Kontaktit e të Bashkimit Evropian, kanë thënë se ndonjë pjesë e caktuar e planit serb për decentralizimin mund të diskutohet. Cili do të jetë reagimi i institucioneve kosovare me rast të pranimit të çfarëdo pjese të këtij plani?

FATMIR SEJDIU
Po, unë mund të them se ne kemi dhënë një reagim të qëndrueshëm në të gjitha fazat e mëhershme dhe tani, se janë institucionet e Kosovës, ato që përcaktojnë projektet konkrete të zhvillimeve të demokracisë në Kosovë dhe të organizimit të pushtetit. Në këtë bazë bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë qëndrimin tonë. E dyta bashkësia ndërkombëtare me këtë interpretim, mbase ka edhe qëndrime të tjera, në njëfarë mënyre dëshiron që ndonjë ide e hedhur, sikur mund të jenë idetë ta zëmë të marra në Francë, apo në vendet tjera të Evropës, mund të jetë e kapshme, por jo në kuptimin e pranimit të projektit si projekt.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast të refuzimit të serbëve për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 23 tetorit, cili do të jetë ndikimi në zhvillimet në Kosovë, pra edhe në procesin e përmbushjes së standardeve?

FATMIR SEJDIU
Po, serbët kanë dy karta para vetes. Kanë kartën e vendeve të rezervuara për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës dhe kartën për pjesëmarrje në proces, që në fakt me një keqinterpretim, që i është bërë dokumentit të deritanishëm kushtetues, është dyfishuar cilësia e tyre. Pavarësisht nga ky fakt, unë mendoj realisht se mospjesëmarrja e tyre në proces në njëfarë mënyre do t’i pengojë vetë serbët, sepse zëri i tyre përfaqësues dhe pjesëmarrës në vendime, sigurisht se do të mbetet më anash, nga shkaku se nuk do ta gjejnë veten, nuk do të jenë pjesëmarrës në rrjedhat e drejpërdrejta. Për këtë arsye, ne kemi bërë vërejtje të sinqertë që pikërisht pranimi i proceseve, pra edhe i procesit zgjedhor të jetë pjesë e barabartë edhe për qytetarët serbë. Në një mënyrë, mund të themi se deri tani, pikërisht kjo zhagitje, dëshiron, thjesht që të shtrëngojë lëvizjet në Kosovë dhe në njëfarë mënyrë të mbetet lak në fyt për Kosovën. Ne këtë nuk e dëshirojmë dhe besoj se edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërrojë qasjen e vet, të ketë një qasje të respektimit të kritereve dhe të rregulloreve të veta, me rastin e hapjes së procesit zgjedhor dhe të gjitha procedurave të tjera, sepse siç e shihni kanë kaluar dhe të gjitha afatet. Kjo tolerancë që po u bëhet në njëfarë mënyre është nonsens dhe nuk do të mund ta gjenin në praktikat e vendeve të tjera. Përpjekja për të krijuar multietnicitetin apo pjesëmarrjen e shumë etnive në Kosovë, duhet të ishte shumë më e hershme e jo vetëm përpjekje në kuptimin e përzgjatjes së proceseve, që në njëfarë mënyre dëmton edhe vetë proceset, apo situatën e tanishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, çfarë ju prisni pas zgjedhjeve të 23 tetorit. Në çfarë çështjesh do të duhej të fokusoheshin organet ligjvënëse dhe ekzekutive, që do të dalin nga zgjedhjet?

FATMIR SEJDIU
Po mendoj se dy-tre janë çështjet themelore që do të duhej t’i kishim para vetes.
E para do të jetë hapja e perspektivës së zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të Kosovës, që do të jetë perspektivë që do të krijojë themelet edhe për qenien e Kosovës dhe qëndrimin e saj të mbetshëm. Dhe e dyta natyrisht hapjen e procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës, që për ne është pavarësia e Kosovës dhe alternativë tjetër nuk ka. Në këtë kontekst, natyrisht se ne do të jemi shumë kooperativë që gjithë legjislacioni apo korpusi juridik, që do të jetë në vazhdimësi i krijuar nga institucionet e Kosovës, flas për Parlamentin e Kosovës, të jetë ai që do të përfillë dhe të respektojë standardet evropiane për të shkurtuar rrugën e integrimit të Kosovës në këto rrjedha dhe asociacione.

Intervistoi Albana Isufi


XS
SM
MD
LG