Ndërlidhjet

KU VENDOSET PËR KOSOVËN?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Statusi përfundimtar i Kosovës para së gjithash duhet të sigurojë stabilitet afatgjatë në rajon, pasi askush nuk dëshiron një luftë tjetër në Ballkan, kanë deklaruar për Evropën e Lirë zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ndërkohë që përfaqësues shqiptarë dhe serbë të institucioneve të Kosovë kanë qëndrime të kundërta lidhur me atë se kush dhe ku duhet të vendosë për statusin përfundimtar të Kosovës.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Mechtilde Henneke tha se vendimi përfundimtar për statusin final të Kosovës do të merret nga Këshilli i Sigurimit, por kjo nuk do të thotë se për këtë do të konsultohet vetëm Këshilli i Sigurimit:
"Çfarëdo zgjidhje që do të gjendet duhet të jetë e mbështetur në garantimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit, pasi askush nuk dëshiron një luftë tjetër në Ballkan," tha zëdhënësja Henneke, ndërkaq zëdhënësja e qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila tha se vendimi përfundimtar duhet t’i takojë popullit të Kosovës, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e tij:
"Diskutime mund të ketë. Natyrisht se vendimi final duhet dhe do të vendoset në Prishtinë. Vendi se ku do të mbahen diskutimet nuk dihet, por natyrisht së fundi duhet pajtueshmëria e vendeve të Këshillit të Sigurimit, por si procesin më demokratik, duhet pyetur populli i Kosovës, pasi janë ata që duhet të jetojnë në Kosovën e pavarur apo çfarëdo statusi që të ketë".
Mirëpo, anëtari serb i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviç, tha se kjo çështje nuk mund të vendoset pa pajtueshmërinë e Beogradit:
"Fizikisht vendimi mund të merret në Prishtinë, por jo pa pajtueshmërinë e Beogradit dhe të faktorëve kryesorë, përfshirë Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe NATO-n," tha Ivanoviç, sipas të cilit marrëveshja për statusin përfundimtar duhet të përfshijë të gjitha qëndrimet kontraverse të të gjitha palëve, por më e rëndësishmja, sipas tij, është që Beogradi nuk guxon të përjashtohet nga marrja e këtij vendimi:
"Vendimi që nuk do të ishte në pajtim me kërkesat dhe qëndrimet e Beogradit që është në kundërshtim me to, ofron destabilizim afatgjatë dhe mendoj se kjo nuk i duhet askujt," tha Ivanoviç.
Lidhur me këtë, zonja Kusari –Lila tha se me Beogradin ka çfarë të diskutohet, por Serbia nuk mund të vendosë për statusin final:
"Natyrisht se me Beogradin duhet diskutuar dhe do të diskutohet, pasi ka çështje për t’u diskutuar, mirëpo megjithatë me Beogradin apo në Beograd, nuk mund të vendoset apo nuk mund t’i jepet vendimi final për statusin e Kosovës. Në fund është populli i Kosovës ai që duhet të vendosë."
Duke mos përjashtuar një linjë gjithëpërfshirëse institucionale dhe gjeografike, siç u shpreh zëdhënësja e UNMIK-ut, Mechtilde Henneke, tha se më e rëndësishmja është që statusi përfundimtar t’i ofrojë Ksoovës perspektivë evropiane:
"Kjo do të thotë se do të ketë një zgjidhje, e cila duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës, por edhe për fqinjët dhe për partnerët në rajon dhe ajo zgjidhje duhet t’i ofrojë Kosovës një perspektivë evropiane," tha zëdhënësja Henneke, duke përkujtuar se edhe plani për decentralizimin për të cilin është shkaktuar kaq konfuzion, do ta ketë si bazë për gjithë procesin, planin e hartuar në Prishtinë, ndërsa palët e tjera do të konsultohen për çështjet e caktuara.



XS
SM
MD
LG