Ndërlidhjet

PRESIDENTI MOISIU TAKOHET ME PRESIDENTIN RUGOVA


Alma Çupi, Tiranë

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu deklaruan sot në Tiranë se pavarësia e Kosovës do të ndikojë pozitivisht në rajon. Presidenti i Kosovës Rugova tha se është për pavarësi të drejtpërdrejtë të Kosovës sepse vetëm në këtë mënyrë rajoni dhe gjithë shqiptarë do të gjejnë qetësi.
"Mund të them se njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës dhe do t;i qetësonte shqiptarët në rajonin e Evropës Juglindore, do të hapte perspektiva të reja. Pra një Kosovë e pavarur demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha presidenti Rugova.
Edhe presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, tha se Shqipëria e mbështet pavarësinë e Kosovës dhe se në të gjitha takimet e tij personale me diplomacinë ndërkombëtare, e ka ngritur këtë çështje. Presidenti Moisiu tha se ka theksuarshumë në të gjitha takimet diplomatike se statusi i Kosovës nuk mund të zgjatet, pasi kjo i krijon hapësirë rreziqeve të mundshme nga të dyja krahët e ekstremistëve.
"Unë edhe kur isha në Prishtinë në prill e theksova se vjet kam qenë në Nju Jork në takim me Kofi Ananin edhe me zëvendës sekretarin Grossman, e kam theksuar me forcë që dhënia e statusit Kosovës nuk mund të zgjatet shumë, sepse sa më shumë të zgjatet ajo aq më shumë hapësirë do t'u krijojë rreziqeve të ndryshme nga të dy krahët e ekstremistëve".
Zgjedhjet e tetorit në Kosovë për presidentin Rugova do të jenë një provë e mirë për t'i treguar faktorit ndërkombëtar se Kosova di të udhëheqë në mënyrë demokratike.
"Shpresoj dhe jam i bindur se do të kemi zgjedhje të mira, që edhe njëherë t'u dëshmojmë miqve tanë dhe faktorit ndërkombëtar se ne dimë të udhëheqim dhe e pranojmë rendin demokratik. Po ashtu tani presim edhe që të ndihmojë Shqipëria në planin diplomatik dhe në planin ndërkombëtar se çështja e njohjes së pavarësisë është një çështje që e qetëson këtë pjesë të Evropës, qetëson rajonin tonë dhe shqiptarët në përgjithësi".
Më tej në konferencën e përbashkët për shtyp presidenti Rugova tha se Kosova është treguar mjaft tolerante me minoritetet dhe këtë e tregon edhe fakti se në parlament nga 120 vende, 20 vende janë të rezervuara për minoritetet. Votimi nga ana e minoriteteve sipas Rugovës do t'u japë shance atyre që të fitojnë më shumë në parlament.
Të dy presidentët, Rugova dhe Moisiu, i vlerësuan mjaft të frytshme bisedimet sot në Tiranë, dhe kontributin që ka dhënë Shqipëria në progresin e Kosovës. Bisedat mes dy presidentëve janë përqëndruar edhe për bashkëpunime në sektorin e ekonomisë, ku bashkëpunimi më i afërt është ai i rrugës Durrës -Kukës -Morinë.
Pas takimit me presidentin Moisiu, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, u prit nga kryeministri Fatos Nano.


XS
SM
MD
LG