Ndërlidhjet

logo-print

WHYTE:"SUKSESI I REFERENDUMIT, ME PASOJA POLITIKE"


NICHOLAS WHYTE, SHEF I ZYRËS PËR BALLKANIN, GRUPI NDËRKOMBËTAR I KRIZAVE


EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, ka patur njoftime se në një letër drejtuar Bashkimit Evropian, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka kërkuar që Unioni të miratojë alternativë tjetër në rast të suksesit të referendumit në Maqedoni. A mund të na thoni diç më tepër?

NICHOLAS WHYTE
Nuk mendoj se ky është interpretim i përpiktë i asaj që kemi thënë. Ajo që thamë është se Bashkimi Evropian duhet t'i vazhdojë kontaktet me të gjithë faktorët politikë në Maqedoni. Ne thamë se Bashkimi Evropian do të duhej ta konsiderojë zgjërimin e misionit policor. Por, kuptohet, nëse referendumi nuk del i suksesshëm, atëherë nuk do të kishte nevojë për ndonjë plan alternativ.

EVROPA E LIRË
Letra gjithashtu kërkon nga Bashkimi Evropian të insistojë më shumë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. A dmth. kjo se mandati i misionit 'Proxima' do të vazhdohet?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se ashtu do të jetë. Kuptohet që Proxima nuk është shumë e ndërlidhur me Marrëveshjen e Ohrit. Proxima është e ndërlidhur me çështjet tjera të reformimit të sektorit të sigurisë. Çështjet e ngjashme që ishin pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, deri tani pak a shumë janë plotësuar.

EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, çfarë do të ishte ndikimi i referendumit të suksesshëm në kërkesën e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian?

NICHOLAS WHYTE
Kjo do të paraqesë shtyrje të mëtejme të procesit të zbatimit të reformave në pushtetin lokal. Nëse qeveria do të jetë serioze në pohimet se në atë rast do të jepte dorëheqjen, atëherë kuptohet se do të kishte edhe pasoja të mëtejme politike. Sigurisht që nuk do t'i përshpejtonte gjërat.

EVROPA E LIRË
Si i shihni thirrjet e liderëve politikë shqiptarë, se shqiptarët duhet ta bojkotojnë referendumin?
Çfarë ndikimi kjo do të kishte tek maqedonasit?

NICHOLAS WHYTE
Kuptohet, çdo qytetar e ka të drejtën të votojë apo jo në referendum ashtu siç mendon ai se duhet. Mendoj se të gjithë qytetarët e Maqedonisë duhet ta respektojnë këtë të drejtë. Gjithashtu duhet respektuar edhe të drejtën e të gjithë liderëve politikë, që t'u japin instruksione dhe sugjerime mbështetësve të vet se në ç'mënyrë të votojnë.

Intervistoi VULLNET POSHKA
XS
SM
MD
LG