Ndërlidhjet

UNMIK-u DO TË DISKUTOJË PJESË TË PLANIT TË BEOGRADIT PËR DECENTRALIZIMIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të hapë për diskutim me autoritetet e Prishtinës pjesë të caktuara të planit të Serbisë për decentralizimin në Kosovë. Pas disa paralajmërimeve, kjo definitivisht është bërë e qartë në një letër që kryeadministratori Soren Jessen Petersen i ka dërguar kryeministrit të Serbisë Vojislav Koshtunica. Në anën tjetër, autoritetet vendore kanë reaguar negativisht në këtë vendim të shefit të UNMIK-ut, duke e cilësuar planin serb të papërdorshëm sa i përket decentralizimit në Kosovë. Mirëpo, një zëdhënëse e UNMIK-ut, Mathilde Heneke, thotë se janë dy fusha që mund të hapen për diskutim me Beogradin sa i përket i Kosovës:
“UNMIK-u është i interesuar që me Beogradin t’i diskutojë dy çështje, sigurinë dhe decentralizimin”, thotë Heneke. Sipas saj, ky qëndrim i zotit Petersen nuk e ndërron rolin udhëheqës të Prishtinës në procesin e decentralizimit, por përmes shqyrtimin të pjesëve të caktuara të planit serb, synohet kompletimi i draftit kornizë të përgatitur nga UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës.
Ndërkohë, një qëndrim tjetër me atë të UNMIK-ut, shpreh ministri Jakup Krasniqi, i cili ka kryesuar Grupin e Përbashkët gjatë hartimit të drafit për reformat në pushtetin lokal. Ai thotë se grupi i përbashkët e ka kryer punën e vet dhe se për çdo rishikim të planeve të tjera, duhet të merret vendim në nivelin e qeverisë së Kosovës, edhe pse vlerëson gjithashtu se plani serb është i papërdorshëm sa i përket Kosovës, duke pasur parasysh bazën e dokumentit të përgatitur në Prishtinë, i cili mbështetet mbi parimet evropiane.
“Unë mendoj se ky dokument ka dalë mbi bazën e Kartës Evropiane për Decentralizim ose reformim të pushtetit vendor dhe mbi bazën e rekomandimeve të Këshillit të Evropës për decentralizimin, reformimin e pushtetit vendor në Kosovë”, thotë Krasniqi.
Ministri Krasniqi thotë po ashtu, se qëndrimet e fundit të UNMIK-ut për të përfshirë pjesë të planit serb, do ta zvarrisin tërë procesin. Me vetë faktin se grupi të cilin ai e ka drejtuar në hartimin e draftit kornizë kishte në përbërje vendorë, ndërkombëtarë e ku ishin dhe përfaqësuesit serbë, Krasniqi vlerëson se nuk ka pasur nevojë për përfshirjen e Beogradit në këtë proces:
“Nuk ka asnjë arsye që të merret nëpër dorë edhe njëherë dokumenti kornizë, pasi që ky dokument vërtetë i hap perspektivat për reformimin e pushtetit vendor. Por, reformimi i pushtetit vendor bëhet mbi bazën e ligjeve që duhet të aprovohen dhe pastaj mbi bazën e rezultateve që do t’i jepte pilot programi, i cili duhet të fillojë pas zgjedhjeve të tetorit 2004”, pohon ministri Krasniqi.
Në anën tjetër, zëdhënësja e UNMIK-ut, Mathilde Heneke, beson se Beogradi nuk bëhet partner në procesin e decentralizimit në Kosovë, nëse UNMIK-u vendos që t’i rishikojë disa pjesë të planit serb. Ajo mendon se serbët e Kosovës duhet të jenë partnerë në këtë proces, sikurse edhe institucionet e Kosovës. Në letrën dërguar kryeministrit serb Koshtunica, ajo sqaron se Petersen ka kërkuar nga Beogradi që t’i inkurajojë serbët të dalin në zgjedhje. Në analizat e ndryshme, është thënë disa herë se Beogradi e ka kushtëzuar pjesmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e sivjetme me planin e vet për decentralizimin.



XS
SM
MD
LG