Ndërlidhjet

ÇEKU: JAM I INKURAJUAR ME QËNDRIMIN E KRYEADMINISTRATORIT DHE KOMANDANTIT TË KFOR-IT PËR TMK-në


Albana Isufi, Prishtinë

Në Planin Implementues të Standardeve për Kosovën, mund të vihen prioritete mbi prioritete, pasi disa nga standardet duhet të realizohen më shpejt, para se të vijë koha e rishikimit të tyre, ka thënë sot kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e thjeshtësimit të këtij plani, ide kjo që është hedhur para pak kohësh nga shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana.
“Të gjitha standardet janë të rëndësishme, por disa prej tyre janë më të rëndësishme dhe duhet të realizohen më shpejt, si rendi e ligji, siguria, lëvizja e lirë, mbrojtja e pronës private, këto janë prioritete parësore. Ekonomia është shumë e rëndësishme, por duhet kohë e gjatë që të realizohet, prandaj ka hapësirë që të reduktohen, të thjeshtësohen dhe të shkohet përpara," tha Rexhepi.
Mirëpo, shefi i zyrës italiane në Prishtinë Pasquale Salzano, ka thënë se nuk ka nevojë që plani të ndryshohet, duke shtuar se të gjitha standardet janë të rëndësishme.
“Nuk ka prioritete të veçanta, mendoj vetëm kur të behet vlerësimi, disa standarde do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme që të arrihen. Rishikimi do të jetë jetë natyrisht politik, “tha Salzano.
Kryeministri Rexhepi dhe diplomati italian Salzano i kanë bërë këto komente pas takimit të Grupit të Lartë Punues për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ku nga gjenerali Agim Çeku kanë marrë premtimin se standardi i TMK-së do të përmbushet në afatin e caktuar.
“Diskutuam shumë sot për TMK-në me gjeneralin Çeku dhe shpresojmë se TMK-ja do t’i arrijë siç i përmendi ai, të gjitha standardet në vitin e ardhshëm dhe ne besojmë se është në rrugë të mirë”, tha Salzano.
Ndërkaq, kryeministri Bajram Rexhepi tha se ka shprehur gadishmërinë që të ndihmohet financiarisht TMK-ja.
“Ky është momenti që të shihen se cilat janë hapat në të ardhmen. Ne shprehëm gadishmërinë se do ta ndihmojnë me buxhet, por kërkuam që ata duhet të angazhohen në shumë sfera dhe të kenë trajnime të përbashkëta më KFOR-in," tha Rexhepi.
Ndërkaq, vetë komandanti i TMK-së gjenerali Agim Çeku tha se nga takimi i sotëm ka marrë premtime se TMK-ja nuk do lihet anash zhvillimeve të tjera në Kosovë.
“Takimi qe shumë i frytshëm dhe jam i inkurajuar nga qëndrimi edhe i administratorit, edhe i komandantit të KFOR-it se me TMK-në duhet të ecet përpara sikurse më të gjitha proceset e tjera në Kosovë," tha Çeku.
Në bazë të Planit Implementues të Standardeve për Kosovën, Trupat Mbrojtëse të Kosovës, janë standardi i tetë që duhet përmbushur deri në mesin e vitit 2005, para se të hapen diskutimet për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.



XS
SM
MD
LG