Ndërlidhjet

REXHEPI: PLANI SERB I DECENTRALIZIMIT PARAQET KONCEPT POLITIK


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në Kosovë ka vetëm një dokument bazë për decentralizimin dhe ai është drafti – kornizë i hartuar nga Grupi i Përbashkët i UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, ka thënë sot kryeministri Bajram Rexhepi. Ai e ka hedhur poshtë mundësinë e marrjes në konsideratë të planit të Serbisë për decentralizimin nga ana e Grupit Punues në Prishtinë, duke e quajtur atë si një draft politik dhe jo praktik, sa i përket decentralizimit të pushtetit, që si qëllim kryesor sipas Bajram Rexhepit ka ndarjen e Kosovës:
“Dokument bazë për ne është vetëm ky (i Prishtinës) dokument bazë. Dhe jo pse është i Serbisë, por në atë ka thjesht qëllime territoriale, ndarje të Kosovës dhe është tërësisht dokument politik. Koncepti i këtij projekti është krejt tjetër”, tha kryeministri i Kosovës.
Kryeministri Rexhepi nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që të dëgjohet plani serb, por jo që ai të shqyrtohet në Grupin Punues në Prishtinë, dhe në këtë aspekt ai rekomandoi që idetë të paraqiten nga përfaqësuesit serbë të Kosovës dhe jo nga Beogradi:
“Këtu mund të bëhet ndonjë vlerësim akademik ose ndonjë digjim akademik në ndonjë takim. Mirëpo ne qëndrojmë në atë dhe mendoj se jemi në valë të njëjta, që nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Grupin Punues, mund t’i propozojnë idetë e tyre, qoftë edhe nga ai plan, sepse është e drejtë e tyre t’i propozojnë dhe nëse pranohen nga qeveria, UNMIK-u dhe nuk bien ndesh me rekomandimet e Këshillit të Evropës, mund të begatohen, mirëpo idetë e tyre, sidomos te siguria, liria e lëvizjes, për të cilat edhe ne jemi të interesuar të ketë garanca të tilla, mund të bëhen përmes ligjeve që do ta implementojnë këtë kornizë”, tha Rexhepi.
Paralajmërimet e fundit të shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen për të rishikuar disa pjesë të planit serb lidhur me decentralizimin, kuptohen si masat e tij shtesë në kuadër të përpjekjeve për ta bindur Beogradin që t’u rekomandojë serbëve të Kosovës të dalin në zgjedhjet e sivjetme. Mirëpo, këto përpjekje, nga ana e liderëve serbë, kuptohen si të pamjaftueshme. Njëri prej liderëve serb në kuadër të koalicionit “Kthimi”, njëkohësisht deputet në kuvendin e Kosovës, Gojko Saviç, thotë se çfarëdo vendimi për daljen e serbëve në zgjedhje në rrethanat aktuale në Kosovë do të ishte në dëm të komunitetit serb. Sidoqoftë, ai pret që vendimi përfundimtar të merret pas takimeve të zotit Petersen me autoritetet e Beogradit:
“Dalja në zgjedhje është ende e paqartë, kurse Petersen ka kërkuar një takim urgjent me autoritetet e Serbisë dhe mendoj se pas këtyre bisedimeve do të vijë deri te ndonjë vendim, apo të paktën do të jetë më afër marrja e vendimit”, thotë Gojko Saviç. Pavarësisht rezultateve përfundimtare, Saviç vlerëson se dalja në zgjedhje do të ishte katastrofale për serbët dhe siç thotë ai, do të shkonte në përfitime politike të shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Pavarësisht deklaratave kundërthënëse që liderët serbë japin pro dhe kundër pjesëmarrjes në zgjedhje dhe ndërlidhshmërinë që i bëjnë procesit zgjedhor me decentralizimin, ata në fund ndajnë zakonisht mendimin e njëjtë se vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen apo jo të tyre në zgjedhjet e tetorit në Kosovë, megjithatë duhet të merret nga Beogradi.


XS
SM
MD
LG