Ndërlidhjet

MOORE:"DËSHTIMI I MARRËVESHJES SË OHRIT TENSIONON BALLKANIN"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, pas një qetësie relative, gjendja në Maqedoni sërisht është ashpërsuar. Suksesi eventual i referendumit kundër decentralizimit, mund të hapë një krizë të re në Ballkan, thonë disa ekspertë. Si i komentoni ju këto parashikime?

PATRICK MOORE
Kjo sigurisht është e mundur. Kemi një situatë paradoksale në të cilën një mjet demokratik, një votë demokratike përmes referendumit, mund të përdoret për të arritur një rezultat jo progresiv dhe gjithësesi jodemokratik. Pra, do kishim mjete demokratike që përdoren për rezultate jodemokratike. Por cila është situata konkrete këtu në Maqedoni? Ky referendum do të jetë i vlefshëm vetëm nëse shumica e atyre që votojnë e miratojnë dhe caku është më shumë se 50 % të votuesve të regjistruar. Kam folur gjithnjë kundër bojkotimeve, por nëse do të ketë bojkotim të këtij votimi të veçantë, atëhere votuesit e regjistruar që do ta bojkotojnë referendumin, duke u kombinuar me ata njerëz që nuk kanë interesim apo që nuk do të shkojnë të votojnë, mund të çonin që pjesëmarrja në votim të ishte më pak se 50 %, gjë që do të eliminonte referendumin krejtësisht. Pra, kjo është një prej mënyrave të mos realizimit të referendumit. Mund të mos realizohet edhe në rastin e votimit kundër. Pra ka dy mundësi. Për momentin nuk jam as optimist, as pesimist.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë analistë dhe zyrtarë konsiderojnë që zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është zgjidhja më e mirë dhe e vetme për Maqedoninë. A mendoni se dështimi eventual në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, mund të shkaktojë reagime të tjera zinxhirore në pjesë të tjera të Ballkanit?

PATRICK MOORE
Po jam dakort me këtë. Nuk kam qenë ndonjëherë një besues i madh i "teorisë domino", e cila shpjegon që ngjarjet në një vende do të influencojnë domosdoshmërisht një vend tjetër. Nuk kam argumentuar duke lidhur ngjarjet në Kosovë me ato në Malin e Zi, me ato në Bosnje apo diku tjetër. Por në këtë rast është mjaft e qartë që nëse ky referendum do të ketë sukses dhe rezultati do të jetë bllokimi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, atëhere do të kemi minim të besimit në gjithë rajonin sa u përket qasjeve paqësore të zgjedhjes së konflikteve. Kjo do të forconte pozitën e atyre që bëjnë thirrje për dhunën si të vetmin mjet për zgjidhje të problemeve. Kjo mund të çonte në një luftë të re në Maqedoni. Për të vënë re këtë nuk ka nevojë për shumë analiza. Do të çonte mendoj në një nervozitet shumë të madh në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, në Malin e Zi e ndoshta edhe në vende të tjera. Kjo do të inkurajonte nacionalistët në radhët e maqedonasve dhe ndoshta në Serbi gjithashtu. Pra me fjalë të tjera jam dakort me këtë teori që dështimi i zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit mund të provokonte reagime shumë negative në pjesë të tjera të Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, si mund të reflektohet kjo gjendje në Maqedoni, në situatën e përgjithshme në Kosovë, veçanërisht në kontekstin e disa sinjalizimeve, se së shpejti mund të hapet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës?

PATRICK MOORE
Ajo që do kishim në situatën që ju përmendët do ishte një rritje e tensioneve anembanë rajonit. Çdo ambient i tensionuar në rajon, do të ndihmonte në të dy anët që të inkurajonte pozicionet e linjës së ashpër. Dhe sa më shumë që të forcohet pozita e linjës së ashpër, aq më e vështirë është arritja e kompromisit, arritja e marrëveshjes dhe aq më pak do të jetë e mundur të vazhdojë status quo-ja. Ose mund të ketë një luftë tjetër që ndoshta nuk do kufizohej vetëm në një apo dy zona. Siç e thashë nuk duhet të ketë një lidhje ndërmjet çështjeve të Maqedonisë dhe të Kosovës, apo gjetkë, por kam frikë se nëse do të shohim rënien e Marrëveshjes së Ohrit, atëhere do jetë shumë e vështirë të parashikohen se cilat do të jenë pasojat për Kosovën, për zgjidhjen e çështjes së statusit, për gjendjen në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG