Ndërlidhjet

B. BUKOSHI: KOSOVA KA NEVOJË PËR NDALJEN E ABUZIMEVE DHE KEQ-QEVERISJES


Bujar Bukoshi, kryetar i Partisë së Re të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bukoshi, si i vlerësoni zhvillimet lidhur me decentralizimin, sidomos pas letrës së kryeadministratorit Jessen Petersen dërguar kryeministrit të Serbisë Koshtunica?

BUJAR BUKOSHI
Në fillim do të thoja se çështja e decentralizimit është hedhur gati si një strategji për ta ç'fokusuar vëmendjen nga problemet shumë jetike dhe shumë më të rëndësishme për Kosovën, siç është ekonomia dhe fusha të tjera, sesa decentralizimi. Por sidoqoftë ne e kuptojmë decentralizimin si një proces i cili do të bëhet, por natyrisht se në këtë pikë Beogradi, Serbia, madje as zoti Koshtunica, nuk kanë se ç'të kërkojnë dhe është mirë për Beogradin të heqë dorë nga politika, qëndrimi obstruktiv ndaj Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të ndikojë përfshirja e çfarëdollojshme e Beogradit në reformën e pushtetit lokal të Kosovës, mbi zhvillimet e përgjithshme në Kosovë përfshirë edhe vetë zgjedhjet?

BUJAR BUKOSHI
Unë thashë asnjë përfshirje e çfarëdollojshme qoftë e Beogradit, por përfshirja e serbëve të Kosovës në proceset e shtetformimit të Kosovës. Kjo është absolutisht në interesin e serbëve të Kosovës edhe është punë e madhe e jona që ne tani t'u ofrojmë serbëve, ta bëjmë Kosovën atraktive për të gjithë banorët e Kosovës, për të gjithë qytetarët e Kosovës, natyrisht automatikisht edhe për serbët. Pra kurrfarë diskriminimi dhe jo me hiper përfaqësime dhe me një lloj apartejdi të ri në Kosovë do të thoja.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët e Kosovës ende nuk kanë marrë një vendim për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Si e vlerësoni ju këtë situatë të krijuar?

BUJAR BUKOSHI
Pala shqiptare është treguar mjaft korrekte dhe shumë e hapur duke kërkuar dhe apeluar shumë herë tek serbët që të marrin pjesë në zgjedhje. Mirëpo fundi i fundit është çështje e tyre që ata të vendosin për këtë. Nëse vendosin mendoj se do të jetë më mirë për ata, nëse jo atëhere është sërisht punë e tyre. Ne nuk mund të imponojmë vendimet që duhet të marrin serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Po a do të ndikojë kjo në vlefshmërinë e zgjedhjeve në Kosovë, një mospjesëmarrje eventuale e tyre?

BUJAR BUKOSHI
Absolutisht, sepse pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës, është një shumicë mbi 95 %, atëhere zgjedhjet janë automatikisht të vlefshme. Po e përsërit është vetëm në dëm të serbëve qëndrimi obstruktiv ndaj procesit të shtetformimit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Tani pavarësisht nga pjesëmarrja apo jo e serbëve në zgjedhje, çfarë mund të pritet nga e gjithë kjo?

BUJAR BUKOSHI
Në radhë të parë ne po kultivojmë një optimizëm të kujdesshëm se viti 2005, do të jetë vit i fillimit të një procesi ku do të fillohet të flitet e të bisedohet për statusin përfundimtar të Kosovës, pra për pavarësinë e Kosovës. Për mua ajo pavarësi nuk do të arrihet në vitin 2005, ashtu siç po trumbetohet, por do të jetë një nismë e cila do të varet shumë nga faktori shqiptar në rend të parë i Kosovës, edhe nga faktori ndërkombëtar. Edhe në këtë pikë kisha për të thënë se do të bëhej gabim në koncept, nëse lejohet që tani, ta them kështu më vrazhdë, politika e Beogradit sërisht t'i futë hundët në çështjen e të ardhmes së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni ndërkohë paralajmërimet për thjeshtësimin e formulës "standardet para statusit", në një formulë që ka të bëjë me përmbushjen e standardeve krahas zgjidhjes së statusit të Kosovës?

BUJAR BUKOSHI
Partia e Re e Kosovës ka mëse një vit që është duke deklaruar dhe kërkuar që jo "standardet para statusit", por "standardet për shtetësinë e Kosovës- standards for statehood". Dhe po më vjen mirë që sërisht u kthyem në atë pikë, në anën tjetër po më vjen keq që u prit aq kohë që të konstatohet që këto punë nuk do të shkonin atëhere. Ka qenë koncepti i gabuar, qasja e gabuar. Shumë u komplikua me këto standarde. Natyrisht Kosovës i nevojiten standardet edhe pa u kërkuar nga kosovarët, sepse ne po themi se jemi të interesuar ta ndërtojmë një shoqëri demokratike, me të gjitha ato norma dhe vlera të shoqërive të civilizuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bukoshi, këto zgjedhje do të jenë sprova e parë e partisë suaj në këtë nivel votimesh. Çfarë pret Partia e Re e Kosovës nga këto zgjedhje dhe çfarë mund të presin votuesit nga partia juaj?

BUJAR BUKOSHI
Kjo është një pyetje, përgjigja e vetme e të cilës do të jetë në vendimin e votuesit se kur do t'ja japë ai votën. Ne do ta bëjmë punën tonë, edhe pak e do të fillojmë me fushatën tonë, e cila meqë ra fjala do të jetë fare e thjeshtë, shumë direkte, pa kurrfarë spektakle dhe natyrisht nga shkaku se jemi në një pozitë shumë të pabarabartë me partitë e mëdha, të cilat kanë bërë një grumbull parash, janë përgatitur, shfrytëzojnë edhe atë pozicion që tani janë në qeveri, e shfrytëzojnë dhe e abuzojnë atë pozicion që kanë në qeveri, bëjnë propagandë, bëjnë fushatë. Ne do të bëjmë një fushatë shumë të hapur, të drejtë, të civilizuar, por natyrisht edhe në atë fushatë do të denoncojmë gjithshka është për t'u denoncuar dhe do apelojmë tek votuesi që ai të mendojë mirë e mirë para se të vendosë kujt t'ja japë votën.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është oferta e Partisë së Re politike të Kosovës për votuesit potencialë?

BUJAR BUKOSHI
Oferta politike, kështu telegrafikisht do të jetë rimëkëmbja e ekonomisë. Kur them rimëkëmbja e ekonomisë me këtë nënkuptoj, jo shkatërrimin e ekonomisë me plaçkitje, me abuzime, me korrupsion, por luftë kundër korrupsionit, sundimi të ligjit. Edhe sfera e arsimit është shumë e rëndësishme pasi këto janë elemente pa të cilat nuk mund të ecë shoqëria. E di se edhe partitë e tjera do ta propagojnë këtë, por ne nuk do të shesim kurrfarë demagogjie. Thjesht do të përqëndrohemi në këto probleme edhe në fushën sociale, pasi do të kemi probleme të jashtëzakonshme të tensionimeve sociale, për shkak të mosoperacionalizimit dhe varfërimit të Kosovës, i cili po ecën me hapa shumë të shpejta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju disa herë i keni kritikuar institucionet e Kosovës të këtij mandati. Çfarë duhet të ndryshohet sipas jush?

BUJAR BUKOSHI
Kritikat që i kam bërë, nuk i kam bërë nga motive të tjera, përveç si një lloj alarmi, pasi çdo shoqërie që gjendet në kriza të tilla i duhet një alarm, një paralajmërim se nëse vazhdohet kështu nuk do të ketë kurrfarë përparimi, do të jetë një udhë pa krye dhe ato kritika janë pritur mirë. Ata që janë kritikuar janë të vetëdijshëm se të gjitha ato kritika qëndrojnë, nuk është vështirë të konstatohen ato, por unë mendoj se duhen ndryshime të mëdha në qasjen e shtetformimit të Kosovës. Duhet të ketë një rend, një rregull dhe këtu e kam fjalën për sundimin e ligjit. Kosova ka nevojë të madhe tani për një organizim për ndalimin e abuzimeve dhe të keq-qeverisjes. Kemi të bëjmë me një qeverisje shumë të keqe.

Intervistoi Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG