Ndërlidhjet

PËR HERË TË PARË, QEVERISJE ME KOALICION


Lutfi Dervishi

Pas shkëputjes së nëntë deputetëve që shpallën krijimin e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste nuk e ka më mazhorancën në parlament dhe është e detyruar të rinegociojë me partitë e veta aleate për të konsumuar mandatin qeverisës, gjë që do të thotë një rikompozim i qeverisë dhe plotësim i kërkesave të partive aleate. Në këtë mënyrë kryeministri Nano që është edhe kryetari i Partisë Socialiste, ndodhet në një presion të dyfishtë. Në një anë janë zërat për ndryshime në strukturat drejtuese në parti dhe në anën tjetër i duhet të bëjë mirë llogaritë që të mbajë shumicën në Kuvend.
Realisht aleatët e Partisë Socialiste nuk e kanë patur asnjëherë peshën për të diktuar ndryshime në qeveri, por zhvillimet e fundit kanë ndryshuar gjithshka. Socialdemokratët, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale, megjithëse të gjithë së bashku kanë vetëm 8 deputetë, kanë rritur kërkesat për më shumë përfaqësim politik dhe duket se kanë edhe rastin e mirë për t’i kthyer monedhën PS-së për shpërfilljen e vazhdueshme ndaj kërkesave të tyre.
Një rikompozim i qeverisë vetëm disa muaj para zgjedhjeve të parakohshme nuk ka lidhje me thellimin e reformave, por vetëm me mënjanimin me çdo kusht të zgjedhjeve të parakohshme. Partia Socialiste që deri më tani kishte një mazhorancë absolute në parlament i duhet të bëjë shumë kujdes për të mbyllur mandatin, sidomos në marrëdhëniet me aleatët. Gjatë këtij mandati, Partia Socialiste disa herë e ka ndërruar kryeministrin dhe kabinetin qeveritar. Ndryshimet e shpeshta krijojnë tronditje në administratë, por këtë radhë duket se këto ndryshime janë të pashmangshme.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje Presidentit Moisiu që të dekretojë zgjedhjet e parakohshme. Sipas, tij PS, nuk e ka më mazhorancën në Kuvend.
Eshtë hera e parë në historinë politike të pas viteve 90 që një parti humbet mazhorancën duke qenë në pushtet. Me përjashtim të qeverisë së stabilitetit në vitin 1991, ku dy forcat kryesore u morën vesh për të krijuar një qeveri të përbashkët për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, në të gjithë rastet e tjera, qeveria ka patur një shumicë të qëndrueshme në Kuvend. Vetë sistemi i zgjedhjeve, mazhoritar me proporcional të korrektuar, ka garantuar deri më tani stabilitet qeverisës dhe partisë së dytë që humbet në mazhoritar i jep më shumë vende nga proporcionali. Por, në të njëjtë kohë, pasja e shumicave të qëndrueshme nuk ka ndihmuar në krijimin e një klime dialogu dhe konsensusi mes forcave politike. Përkundrazi mund të thuhet se ka ndihmuar në rritjen e thekseve të arrogancës nga partitë në pushtet. Formalisht kushdo që ka qenë në pushtet ka preferuar të qeverisë në koalicion. Për shembull si demokratët ashtu edhe socialistët kanë preferuar të bashkëqeverisin me Partinë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, por edhe me parti më të vogla. Jo për nevojë votazh, por më tepër për imazh dhe konsum propagandistik.
Shkëputja e një grupi deputetësh nga Partia Socialiste dhe rigrumbullimi i një grupi të deputetëve të së djathtës nën siglën e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, është një shenjë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për herë të parë nuk do të kemi dy aktorë kryesorë, PD dhe PS dhe partitë e tjera të vogla si krijesa artificiale, por mund të kemi forca politike që me vendimet e tyre do të ndikojnë se cili do të jetë fituesi.
Në kushtet aktuale sfida e kabinetit të tanishëm qeveritar janë të shumëfishta, së pari diktohet rikompozimi, së dyti ruajtja e ekuilibrave në parti, së treti përgatitja e zgjedhjeve të ardhshme
parlamentare. Me apo pa koalicione, qeverisja realisht vuan nga
sëmundja e vjetër e politikës: mosmbajtjes së premtimeve dhe shkëputjes nga interesat e votuesve.
XS
SM
MD
LG