Ndërlidhjet

PARAGJYKIMET BALLKANIKE


Milazim Krasniqi, Prishtinë

Ndeshja futbollistike Shqipëri-Greqi, nga aspekti sportiv i administrimit të kualifikimeve për kampionatin botëror, tashmë llogaritet e mbuluar me ngjarje të tjera. Por kjo ndeshje do të mbetet në kujtesë për një kohë të gjatë, për një aspekt tjetër që ka të bëjë me kulturën e dhunës në Ballkan. Thënë më saktë me kulturën e dhunës që adresohet ndaj fqinjit, tek i cili edhe në raste të rezultateve sportive, perceptimi është i mbarsus me reminishenca të rivaliteteve historike të së kaluarës. Alternimi i gëzimit të njërës palë me hidhërimin e tjetrës, që jo humbjen e vet, por suksesin dhe gëzimin e tjetrit e përjeton si poshtërim, rezultoi me dhunë. Po kjo linjë e perceptimeve të mbarsura me paragjykime të së kaluarës mund të zbërthehet edhe në rastin e reagimeve ndaj ligjeve të decentralizimit në Maqedoni. Shikimi i armikut tek tjetri, sipas një skeme automatike, shkaktoi aktivizimin e një energjie shqetësuese nacionaliste, për të cilën tashmë kanë folur me terma të qartë edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian. Po ky mentalitet i të përjetuarit të fqinjit me automatizëm si rrezik, është aktiv edhe në Kosovë, ku edhe pas 5 vjetëve të mbarimit të luftës, në trazirat e marsit pati një riciklim të dhunës ndëretnike. Djegia e shtëpive të serbëve dhe të kishave ortodokse, ishte një shpërthim i hakmarrjes irracionale për të kaluarën. Për të shkuar ky irracionalitet ballkanik në paradoks, ja vlen të kujtohet edhe një rast nga aktivitetet thjesht letrare. Në kongresin e penës ndërkombëtare që u mbajt këto ditë në Norvegji, shkrimtarët serbë e maqedonas qenë kategorikisht kundër pranimit në këtë institucion të shkrimtarëve të Kosovës. Edhe nga kjo tablo e ngjarjeve të ditëve të fundit në fushat si sporti, kultura apo pushteti komunal, është e qartë se rivalitetet ballkanike, kanë doza të larta të kulturës së dhunës, qoftë fizike, qoftë dhe vetëm psikologjike, e që janë të sedimentuara nga e kaluara. Pikërisht për këtë shkak edhe po lëvizet vështirë në projektin e integrimeve rajonale dhe evropiane në këto vite, megjithë investimet kolosale që ka bërë bashkësia ndërkombëtare. Ballkani perëndimor si një përftesë e re e Paktit të Stabilitetit, u sajua për të inkuarajuar bashkëpunimin rajonal dhe për të përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni. Por duket se projektit i mungon mekanizmi i shërimit të së kaluarës. Në këtë aspekt do të duhej të ishin inkuadruar përvojat e integrimeve evropiane të pas Luftës së Dytë Botërore. Shkrimtari i njohur anglez Xhorxh Orwell, ka një ese brilante ku përshkruan armiqësitë që shpërthenin në një ndeshje futbolli në Londër, në fillim të viteve 50', kur luanin Anglia dhe Bashkimi Sovjetik. Paragjykimet ideologjike ndërmjet shteteve e kombeve ishin bartur në tifozerinë e stadiumit dhe ishin shndërruar në delir. Orwelli kishte një aftësi të rrallë të parashikimit të asaj që quhej utopi negative, por ai nuk ka mundur të parashikonte se do të vinte një kohë, kur njëri nga ekipet kryesore të kampionatit anglez do ta blinte një biznesmen rus. Por ky është rezultat llogjik i tejkalimit të paragjykimeve të së kaluarës dhe integrimeve të larta që janë arritur në Evropën perëndimore. Si mund të përfitojë Ballkani nga ato përvoja të tejkalimit të hasmërive të vjetra e të krijimit të miqësive të reja? Ndoshta edhe me konsumimin më të madh të kontakteve sportive, kulturore e arsimore në një kuadër ballkanik, nga të cilat do të mund të shkarkoheshin energjitë e paragjykimeve të vjetra.



XS
SM
MD
LG