Ndërlidhjet

OSBE: DIVERSITETI GJUHËSOR AFRON KOSOVËN ME EVROPËN


AlbanaIsufi, Prishtinë

Gërshetimi i gjuhëve dhe kulturave të ndryshme në Kosovë është një thesar, nga i cili Kosova mund të fitojë si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht, ka vlerësuar shefi i OSBE-së në Kosovë Paskal Fieski, në hapje të konferencës mbi të drejtën e gjuhëve të komuniteteve të Kosovës.
Shpesh herë gjuha është çështja më kontestuese, sidomos për shoqëritë që kanë ndalë nga lufta, siç është e vërtetë edhe për shumë shtete demokratike të ngritura mirë, ka thënë Fieski:
“Në rastin e Kosovës, politikisht asgjë më shumë sesa respekti aktiv dhe promovimi i diversitetit të gjuhëve nuk mund të kënaqë kërkesat që Kosova duhet të përmbushë, nëse dëshiron që të integrohet më afër strukturave evropiane," tha Fieski duke shtuar se me diversitetin gjuhësor Kosova mund të jetë më atraktive edhe për investitorët e huaj.
Nga ana tjetër shefi i administratës civile në Kosovë, Francesko Bastagli ka thënë se për t’u siguruar se në Kosovë po përdoren tre gjuhët zyrtare, duhet të ketë edhe mjete financiare.
“Përveç gadishmërisë politike për të përdorur gjuhët zyrtare, egzistojnë edhe përpjekjet metodologjike, se si të përmirësojmë dhe mbajmë gjallë përdorimin e gjuhës së të gjitha komuniteteve dhe së fundi duhen mjete financiare, për t’ia bërë të mundur administratës publike përdorimin e gjuhëve zyrtare,” tha Bastagli.
Ndërkohë, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës theksuan se institucionet kosovare tashmë kanë treguar gadishmërinë e tyre në përdorimin e gjuhëve të të gjitha komuniteteve.
Jakup Krasniqi, Ministër i Shërbimeve Publike tha se:
“Në Kosovë është krijuar një realitet i ri, që si gjuha shqipe ashtu edhe gjuhët e tjera të kenë mundësi të përdoren ashtu si përdoren gjuhët e ndryshme në vendet evropiane dhe është në trend të mirë që gjuhët në Kosovës të përdoren mbi bazë të standardeve të përparuara të shoqërisë evropiane”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Rexhep Osmani, tha se diversiteti gjuhësor në një vend mund të krijojë raporte miqësie dhe armiqësie.
“Në raste të tilla kur ato nuk menaxhohen drejt dhe kur kapacitetet e institucioneve rrëshqasin në shovinizmin nacional gjuhësor dhe kulturor, këto raporte marrin dimensionin e armiqësisë siç ka ndodhur në shumë vende të botës, por edhe në Kosovë në kohën e një regjimi, i cili duke përdorur gjuhën majorizuese serbokroatishte bënte përpjekje për të zhvilluar segmente të diskriminimit”, tha Osmani.
Në Konferencësn dyditore “Gjuha simbol i paqes në Kosovë,” po marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha komunitetet në Kosovë si dhe ekspertë ndërkombëtarë.
Sigurimi i të drejtës së gjuhëve të komuniteteve të Kosovës kërkohet edhe nga Plani për Implementimin e Standardeve për Kosovën.



XS
SM
MD
LG